Shqipëria Postuar më 28 Gusht 2026, 13:26

22 vatra zjarri në 24 orë, tre mbeten aktive – Ndërhyrje me forca tokësore dhe ajrore

Nga Edel Strazimiri

22 vatra zjarri në 24 orë, tre mbeten aktive – Ndërhyrje me

Situata e zjarreve vijon të monitorohet në të gjithë vendin, me 22 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 3 vatra janë ende aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 288 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse. Ndërkohë, Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet nga ajri me dy helikopterë, të cilët kanë marrë pjesë në tre operacione.

Vatrat që vijojnë të jenë aktive ndodhen në Malin e Dajtit në Tiranë, Vajkal të Bulqizës dhe Sllatinë të Dibrës.

Zjarri në Malin e Dajtit

Në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës vijon operacioni për shuarjen e flakëve. Në terren janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të Administratës së Zonave të Mbrojtura, ndërsa ndërhyrja po mbështetet edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura.

Vajkali, flakët favorizohen nga era

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon në një sipërfaqe me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. Për përballimin e situatës janë angazhuar 40 forca vendore dhe vullnetare, ndërsa për shkak të erës që favorizon përhapjen e flakëve është aktivizuar edhe një helikopter.

Operacioni është përforcuar me 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Sllatinë rrezik për përhapje drejt pyjeve me pisha

Në Sllatinë të Dibrës, një vatër vijon të jetë aktive në një sipërfaqe pyjore me ah. Në terren po punojnë 46 forca, përfshirë efektivë bashkiakë, forca të ADZM-së dhe vullnetarë. Për shkak të mundësisë së përhapjes drejt sipërfaqeve pyjore me pisha, operacioni është mbështetur gjithashtu nga një helikopter i Forcave të Armatosura.

Katër vatra nën mbikëqyrje

Ndërkohë, autoritetet po mbajnë nën monitorim edhe 4 vatra të tjera, në Qafë të Helmës dhe Arrmollë në qarkun Dibër, si dhe në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit në qarkun Elbasan. Sipas raportimeve, këto vatra janë nën kontroll ose të izoluara dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat