Shqipëria Postuar më 12 Mars 2026, 15:41

Rama: Reforma në drejtësi nuk kthehet mbrapa, Shqipëria nuk ka plan B përveç integrimit në BE

Nga Edel Strazimiri

Rama: Reforma në drejtësi nuk kthehet mbrapa, Shqipëria nuk ka

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së bashkuar dhe Gjermanisë, të bëra pas vendimit të Kuvendit për të refuzuar kërkesën për heqjen e lirisë së një deputeteje.

Rama shprehu dakordësi me parimet e theksuara në deklaratat e dy ambasadave, por nënvizoi se shumica qeverisëse ka një drejtim të qartë strategjik: integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

“Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian,” shkruan Rama.

Ai theksoi se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe se pavarësia e gjyqësorit nuk do të preket, duke garantuar mbështetje të plotë për SPAK.

Në reagimin e tij, kryeministri u ndal edhe te çështja e ish zv/kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën tha se nuk është e akuzuar për korrupsion dhe se hetimi duhet të vazhdojë pa presione apo ndërhyrje nga faktorë jashtë pushtetit të pavarur gjyqësor.

Rama argumentoi gjithashtu se vendimi i Kuvendit ishte në përputhje me standardet e parlamenteve demokratike europiane, ku shqyrtimi i kërkesave të prokurorisë është një proces serioz i bazuar në norma kushtetuese dhe ligjore.

“Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma,” u shpreh Rama, duke shtuar se kufijtë mes pushteteve kushtetuese duhet të ruhen.

Në përfundim të reagimit të tij, kryeministri theksoi se rruga e vendit mbetet e pandryshuar drejt integrimit europian: “Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B.”

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat