Analiza Postuar më 12 Mars 2026, 13:45

Energjia, sa të varur jemi nga importi? Shqipëria, ndër vendet me varësinë më të ulët energjetike në rajon

Nga Scan TV

Energjia, sa të varur jemi nga importi? Shqipëria, ndër vendet me

Të dhënat e Agjencisë Europiane të Statistikave (Eurostat) mbi varësinë nga importet e energjisë tregojnë se gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi 27.3% të energjisë që konsumoi. Nëse krahasohet me dy dekada më parë, rezulton se varësia e vendit nga importi është ulur ndjeshëm. Në vitin 2004 kjo varësi ishte 47.8%, çka do të thotë se brenda 20 viteve Shqipëria e ka ulur varësinë energjetike me rreth 20 pikë përqindje, një nga përmirësimet më të mëdha në Europë.

Në Bashkimin Europian, gjatë vitit 2024, shkalla mesatare e varësisë nga importet e energjisë ishte 57%, që do të thotë se mbi gjysma e nevojave për energji u mbuluan nga importet neto. Megjithatë, kjo varësi ndryshon ndjeshëm mes vendeve të BE-së, duke filluar nga 98% në Maltë, 91% në Luksemburg dhe 88% në Qipro, deri në vetëm 5% në Estoni.

Në këtë krahasim, Shqipëria rezulton rreth 30 pikë përqindje më pak e varur nga importi i energjisë sesa mesatarja e BE-së. Ky nivel relativisht i ulët lidhet kryesisht me strukturën e prodhimit energjetik të vendit, e cila mbështetet fort tek hidrocentralet, që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në vend.

Edhe në rajonin e Ballkanit, Shqipëria renditet ndër vendet me varësinë më të ulët nga importi i energjisë. Në vitin 2024, Serbia kishte një varësi prej 40.8%, Maqedonia e Veriut 65.3%, ndërsa Mali i Zi 33% dhe Bosnje Hercegovina 27.8%. Me 27.3%, Shqipëria është pothuajse në të njëjtin nivel me Bosnjen dhe më mirë se shumica e vendeve të rajonit.

Megjithatë, sistemi energjetik i vendit mbetet shumë i varur nga kushtet klimatike, pasi prodhimi kryesor vjen nga hidrocentralet. Në vitet me reshje të pakta, prodhimi vendas bie dhe vendi detyrohet të rrisë importet e energjisë.

Për këtë arsye, investimet në energjinë diellore, erën dhe diversifikimin e burimeve konsiderohen thelbësore për të ruajtur dhe përforcuar pavarësinë energjetike në vitet e ardhshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat