Shqipëria Postuar më 11 Prill 2026, 14:41

“Qasje e re, nxitje bashkëpunimit mes fermerëve” - Rama: Përfitime konkrete. Balluku: Po shtohen të rinjtë në bujqësi

Nga Alida Lula

“Qasje e re, nxitje bashkëpunimit mes fermerëve” - Rama:

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerët në Krutje të Lushnjës, mbi rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori, me synimin për të arritur standardet e kërkuara të tregut të BE.

“Vetëm duke u bashkuar secili fiton 30% më shumë, është llogari e bërë. Vetëm në prodhim, bashkë në shitje. Secili ka tokën e vetë, por ama kur del në treg bashkë krijon masë, krijon fuqi negocimi për çmimin, krijon garanci dhe krijon qëndrueshmëri”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, Drejtuesja politike e Partisë Socialiste të Qarkut Fier dhe deputete Belinda Balluku, tha se falë punës së feremerëve, por edhe mbështetjes me subvecioneve të qeverisë, janë rritur investimet.

“Kemi zgjedhur këtë fermë pasi është një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm. Dy fermerë, me eksperienca të ndryshme në jetë, si Erion Bufasi dhe Afrim Çela, kanë vendosur të bashkojnë forcat dhe të zhvillojnë më tej aktivitetin e tyre bujqësor. Erioni e ka nisur me vetëm 2 dynym tokë dhe sot ka arritur në 30 dynym ose rreth 3 hektarë. Së bashku me Afrimin, ata menaxhojnë një sipërfaqe prej 5 hektarësh, duke ndërtuar një sipërmarrje të qëndrueshme” – tha Balluku.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla deklaroi se rritja e prodhimit bujqësor dhe forcimi i mbështetjes për fermerët mbeten prioritet kryesor i qeverisë.

“Qëllimi ynë është ulja e kostove për çdo sipërfaqe të mbjellë dhe rritja e prodhimin bujqësor duke forcuar qëndrueshmërinë e fermave shqiptare, duke mbështetur investimet në sera, në përpunimin e tokës dhe në kultura të tjera bujqësore, në mënyrë që fermerët të kenë më shumë të ardhura dhe më shumë siguri në aktivitetin e tyre,” u shpreh Salla.

Ndërkohë, ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se buxheti për bujqësinë është pesëfishuar gjatë qeverisjes së mazhorancës socialiste.

“Po si mund të themi që nuk është bërë asgjë për bujqësinë kur vetëm buxheti i bujqësisë është pesëfishuar që nga momenti që ne kemi marrë detyrat. E gjetëm me 34 milionë euro buxhetin e bujqësisë, dhe sot që flasim e kemi 160 milionë euro”- tha Malaj.

Financimi dhe mbështetja synojnë të nxisin bashkëpunimin mes fermerëve, duke subvencionuar ata që kërkojnë të rriten, të forcohen dhe të zhvillojnë jo vetëm prodhimin, por edhe përpunimin përmes projekteve konkrete.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat