Shqipëria Postuar më 11 Prill 2026, 14:02

Malaj në Lushnjë: 31 mln euro subvencione dhe skema e re e TVSH-së për fermerët në 2026

Nga Edel Strazimiri

Malaj në Lushnjë: 31 mln euro subvencione dhe skema e re e

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një takimi me fermerët në Lushnjë, theksoi mbështetjen në rritje të qeverisë për sektorin bujqësor, duke e cilësuar atë si një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.

Në fjalën e tij, Malaj solli në vëmendje disa prej zonave më prodhuese si Krutja, Divjaka, Fiershegani, Allkaj, Hysgjokaj, Ballagati, Dushku dhe Golemi, duke i cilësuar si histori suksesi që jo vetëm furnizojnë tregun vendas, por edhe eksportojnë jashtë vendit.

Ministri kundërshtoi zërat kritikë për mungesë mbështetjeje ndaj bujqësisë, duke theksuar se buxheti për këtë sektor është rritur ndjeshëm ndër vite. “E gjetëm buxhetin e bujqësisë me 34 milionë euro dhe sot e kemi 160 milionë euro,” u shpreh ai, duke shtuar se eksportet janë pesëfishuar dhe sipërfaqet e serave janë trefishuar.

Për vitin 2026, Malaj bëri të ditur se qeveria ka parashikuar një paketë të gjerë mbështetëse për fermerët, ku përfshihen rreth 31 milionë euro subvencione, 20 milionë euro grante dhe një garanci sovrane prej 30 milionë eurosh. Kjo e fundit do t’u mundësojë fermerëve të përfitojnë kredi të buta me interesa të ulëta, ku shteti garanton deri në 70% të vlerës.

Një nga risitë kryesore është edhe skema e re e TVSH-së, e cila synon të mbështesë drejtpërdrejt fermerët. Sipas saj, 10% e vlerës së faturës për produktet e shitura do t’u rikthehet fermerëve në llogaritë e tyre, duke nisur nga mesi i këtij viti.

Gjithashtu, Malaj u shpreh optimist për hapjen e programit IPARD gjatë këtij viti, nga i cili pritet të injektohen mbi 100 milionë euro në sektorin bujqësor.

Ai nënvizoi se bujqësia punëson mbi 40% të fuqisë punëtore dhe kontribuon me më shumë se 15% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, duke e bërë atë një sektor strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në përmbyllje, ministri theksoi objektivin ambicioz të qeverisë për ta çuar eksportin bujqësor në të paktën 1 miliard euro deri në vitin 2030, si dhe për ta bërë sektorin konkurrues në tregjet e Bashkimit Europian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat