Shqipëria Postuar më 15 Mars 2026, 10:20

“Projekti është në tryezën e NATO”- Rama: Porti i ri në Porto Romano do ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër

Nga SCAN TV

“Projekti është në tryezën e NATO”- Rama: Porti

Lidhur me debatet mbi ndërtimin e portit të ri tregtar dhe ushtarak në Porto Romano, kryeministri Rama e ka cilësuar projektin një nismë strategjike me rëndësi për Shqipërinë dhe rajonin.

Sipas kryeministrit, qeveria ka detyrimin të riorganizojë rrjetin portual të vendit dhe të ndryshojë funksionin urban të qytetit të Durrësit, duke transferuar portin tregtar nga zona aktuale drejt Porto Romanos dhe duke i hapur rrugë zhvillimit turistik të qytetit. Ndërsa theksoi se projekti synon rritjen e kapaciteteve logjistike dhe përpunuese të vendit, në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian dhe NATO-s.

“Tani, ne jemi, jo në të drejtën, por në detyrën tonë të riorganizojmë rrjetin portual të vendit, të ndryshojmë funksionin urban të zonës Durrësit; të shpëtojmë qytetin e dytë më të madh të vendit dhe qytetin e parë turistik të Shqipërisë në vijën bregdetare nga gangrena mu në mes të organizmit të vet urban, që është porti i vjetër; të rrisim kapacitetet tona përpunuese logjistike dhe gjeopolitike, duke u përputhur me standardet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s përmes ndërtimit të një nyje të re strategjike për, jo thjesht Shqipërinë, po për rajonin dhe për funksionimin e Korridorit 8 dhe në ndërkohë, të gjitha këto sfumohen nga lumi i marrëzive që shqiptarët janë të detyruar të përballin përditë, në çdo orë, në çdo minutë, sa herë që kanë kontakt me 700 tenxheret politike dhe mediatike”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera kryeministri u shpreh se porti i ri në Porto Romano lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e rrjetit logjistik rajonal dhe funksionimin e Korridori VIII dhe se ndodhet në shqyrtim nga strukturat e NATO-s.

“Porti i ri në Porto Romano nuk është thjesht një projekt infrastrukturor. E përsëris, është një projekt strategjik rajonal dhe europian i lidhur me funksionimin vital të Korridorit 8 dhe me nyje të tjera logjistike, ku përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe të Shkupit. Siç e theksova në ditët e shkuara, në këtë proces nuk ka patur sikundër hidhen përpjetë ciklat e avujve të tenxhereve mediatike, asnjë shqetësim të shprehur nga aleatët tanë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Bashkimi Evropian, përkundrazi projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s. Ka kaluar të gjithë filtrat teknik dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha, në filtrin politik pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike, por natyrisht, e kam thënë dhe e përsëris këtë port të ri jo të gjithë e duan, jo të gjithë e mirëpresin”, deklaroi kryeministri.

Ndërsa pranoi se projekti ka hasur vështirësi, përfshirë edhe tërheqjen e një kompanie që ishte pranë lidhjes së kontratës për shkak të rritjes së kostove, por theksoi se qeveria do të vijojë me një plan të ri për realizimin e tij.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat