Shqipëria Postuar më 9 Prill 2026, 17:39

Ndryshimet në ligjin për pastrimin e parave, ministri Malaj: Forcim i integritetit të sistemit tonë financiar

Nga SCAN TV

Ndryshimet në ligjin për pastrimin e parave, ministri Malaj: Forcim i

Kuvendi ka miratuar sot ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Në paraqitjen e ndryshimeve ministri i Finanacave Petrit Malaj ka theksuar se “Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit të sistemit financiar shqiptar, rritjes së transparencës dhe përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të vendit”.

Ndër ndryshimet kryesore që janë bërë në ligjin ekzistues është edhe parashikimi i mundësisë të bllokimit apo ngrirjes së përkohshme të transaksioneve deri në 72 orë kur ka arsye të bazuara në rrethana dhe fakte për pastrim të parave apo financimin e armëve të dëmtimit në masë.

Sipas ministrit drafti i ri synon jo vetëm përmirësimin e mekanizmave ekzistues, por edhe harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë me përditësimet më të fundit të standardeve ndërkombëtare në këtë fushë.

Zoti Malaj ka prezantuar para deputetevë edhe disa tregues. Ai tha se “Remitancat, për vitin 2025, sipas të dhënave të Eurostat u llogaritën në mbi 2 miliardë euro. Të ardhurat nga turizmi po për vitin 2025 kapën shifrën prej 5.7 miliardë euro. Investimet e Huaja Direkte, u rritën në nivelin më të lartë historik gjatë 9M-2025 në 1.6 mld Eur. Kreditimi në valutë përgjatë vitit 2025 ishte 1.8 mld Eur. Investimet e shtetasve të huaj për blerjet e pasurive të palujtshme gjithashtu u llogariten në 560 milionë euro. Të gjitha këto tregues që përmenda nuk mund dhe nuk duhet të interpretohen si elementë të “pastrimit të parave”. Ky do të ishte veçse një aludim, pa asnjë fakt të bazuar në analiza ekonomike dhe financiare.

Pra, këto të dhënat na tregojnë se: Turizmi, investimet në pasuritë e paluajtshme apo dhe remitancat po gjenerojnë valutë në mënyrë organike; Ndikimi i tyre në kursin e këmbimit është i shpjegueshëm dhe në linjë me konceptet ekonomike”.

Natyrisht, që e gjitha kjo nuk përjashton nevojën për më shumë vigjilencë nga ana e insitucioneve tona, për të garantuar që flukset e valutave të huaja që hyjnë në ekonomi të jenë të gjurmueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, tha ministri Malaj.

Shqipëria, që prej vitit 2023  nuk është më në proces monitorimi të shtuar ose siç njihet ndryshe si “ lista gri”. Kroacia, si vend i BE-së arriti të dalë nga kjo listë në vitin 2025, ndërsa ka shtete si Bullgaria apo dhe Monako që vijojnë të jenë ende pjesë e listës gri.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat