Shqipëria Postuar më 24 Prill 2025, 13:19

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut – 26 prilli shpallet ditë zie kombëtare

Nga Edel Strazimiri

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut – 26 prilli shpallet ditë

Dita e shtunë, 26 prill 2025, është shpallur ditë zie kombëtare për mirënjohje dhe nderim për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë të hënën e Pashkëve, 21 prill, në moshën 88-vjeçare, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta të Vatikanit.

Këshilli i Ministrave në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi dhe me propozim të Kryeministrit, ka marrë vendimin për ta shpallur ditë zie 26 prillin, ku gjatë kësaj ditë flamuri ynë kombëtar do ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore.

Gjithashtu, të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private, do të transmetojnë muzikë funebër në shenjë respekti.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

SHPALLJE DITË ZIE KOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.

4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat