Shqipëria Postuar më 15 Korrik 2025, 12:51

“Çmim dysheme për internetin” - Operatorët: Është dëmtuar tregu nga autorizimet e shumta. AKEP: Do të ketë pezullim

Nga Ledina Elezi

“Çmim dysheme për internetin” - Operatorët:

Numri i madh i autorizimeve të subjekteve që ofrojnë shërbime interneti para janarit të vitit 2025, ka dëmtuar tregun. Ndërkohë, ka edhe prej tyre që vijojnë të operojnë në mënyrë të paligjshme. Këto ishin disa nga problematikat që u adresuan në një takim të zhvilluar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare me ofruesit e shërbimit të internetit.

Sipas përfaqësuesve nga subjektet që ofrojnë këtë shërbim, dhënia e autorizimeve të shumta ka çrregulluar tregun, pasi ka ulur shumë çmimet, duke shkaktuar me raste edhe humbje të konsiderueshme të të ardhurave të këtyre subjekteve.

“Një nga problemet kryesore janë autorizimet e shumta që janë dhënë nga AKEP deri në janar 2025. Sepse deri në janar ka qenë shumë e lehtë marrja e një autorizimi. Kjo ka bërë që të kemi shumë autorizime për numër banorësh. Kemi mbi 370 që janë ligjërisht, ndërkohë në rajon janë shumë pak. Ka edhe shumë ISP që janë ilegale. Ky është një proces shumë i ndërlikuar, sepse duhet të ruajmë të dhënat e konsumatorit. Ju keni dhënë shumë autorizime pa i kontrolluar. Të mos jepen autorizime pa respektuar rregulloren. Në Kamëz, pasi ISP ka marrë autorizimin nga AKEP, nuk ka marrë autorizim fare nga Bashkia. Problemi është se tani kompanitë kanë filluar të ulin çmimet, 800 lekë për internet, televizor, duke ulur ndjeshëm të ardhurat tona.”

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Gentian Sala, u shpreh se institucioni do të ndërmarrë masat e nevojshme për të zgjidhur këto problematika. Masat përfshijnë rritjen e inspektimeve në subjektet që dyshohen si të paligjshme apo pezullimin e plotë të autorizimeve deri në miratimin e Rregullores së Autorizimeve të Përgjithshme.

Ofruesit e shërbimeve të internetit sugjerojnë që të vendoset një çmim dysheme për sa i takon internetit që ofrojnë për qytetarët. Ndërkohë, disa nga problematikat e tjera që u diskutuan ishin edhe diferencimi i pagesave të taksave, mosdeklarimi i punonjësve dhe të tjera.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat