Shqipëria Postuar më 25 Dhjetor 2025, 10:50

Mbi 70% e deficitit mbulohet me huamarrje të brendshme - Kredia nga jashtë përdoret kryesisht për rifinancim të borxhit ekzistues

Nga Ledina Elezi

Mbi 70% e deficitit mbulohet me huamarrje të brendshme - Kredia nga

Për të mbuluar deficitin buxhetor 63.7 miliardë lekësh, qeveria do të mbështetet kryesisht në huamarrje të brendshme gjatë vitit të ardhdhëm, ndërsa një pjesë më e vogël e financimit do të vijë nga burime të jashtme.

Sipas dokumenteve zyrtare, të ardhurat totale të buxhetit për vitin 2026 pritet të arrijnë në 823 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet parashikohen në 886.7 miliardë lekë. Diferenca mes këtyre dy shifrave krijon deficitin që shteti do të duhet ta financojë përmes huamarrjes.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për shpenzime korrente, si paga, pensione, shëndetësi, arsim dhe funksionimin e administratës, në vlerën 704.6 miliardë lekë. Ndërsa 179.6 miliardë lekë janë planifikuar për investime kapitale, kryesisht në infrastrukturë dhe projekte zhvillimi.

Sipas Planit Vjetor të Huamarrjes, për të mbuluar deficitin, qeveria do të mbështetet kryesisht në financimin e brendshëm. Rreth 53.4 miliardë lekë, ose mbi 70% e deficitit, pritet të sigurohen nga tregu i brendshëm financiar. Vetëm 45 miliardë lekë do të jenë huamarrje neto brenda vendit, kryesisht përmes bonove dhe obligacioneve.

Nga ana tjetër, financimi i huaj do të jetë më i kufizuar, në vlerën 10.3 miliardë lekë. Edhe pse shteti parashikon të marrë 29.2 miliardë lekë hua afatgjata nga jashtë, një pjesë e madhe e këtyre fondeve do të përdoret për ripagimin e borxheve ekzistuese, në vlerën 36.7 miliardë lekë. Kjo ul ndjeshëm përfitimin neto nga huamarrja e jashtme.

Dokumenti tregon se për vitin 2026, qeveria synon të mbajë deficitin në nivele të kontrolluara, duke u mbështetur më shumë te burimet e brendshme dhe më pak te huamarrja nga jashtë. Megjithatë, buxheti mbetet i varur nga borxhi për të mbuluar shpenzimet, ndërsa pesha kryesore e financimit bie mbi tregun e brendshëm financiar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat