Shqipëria Postuar më 8 Prill 2025, 15:00

Inteligjenca artificiale mund të parandalojë zjarret - Metoda e re identifikon vatrat e mundshme, analizon faktorët e rrezikut

Nga Kristi Ceta

Inteligjenca artificiale mund të parandalojë zjarret - Metoda e re

Një institut evropian i kërkimit klimatik po përdor inteligjencën artificiale (IA) për të parashikuar më saktë probabilitetin e zjarreve në të gjithë globin.

Qendra Evropiane për Parashikimet e Motit me Distanca të Mesme ka krijuar një model të ri, që përdor metoda të mësimit të makinerive për të analizuar një grup më të gjerë të dhënash për parashikime më të sakta se ku mund të shpërthejnë zjarret.

Historikisht, parashikimet e zjarrit përdorin një metodë të quajtur Indeksi i Motit të Zjarrit, i cili përdor katër variabla të motit, temperaturën, erën, reshjet dhe lagështinë. Por ka kufizime në këtë model.

"Kjo nuk llogarit shumë detaje," tha për Reuters Shkencëtari i Klimës, Dr. Joe McNorton. "Nuk merr parasysh materialin që merr flakë lehtësisht apo burimet e ndezjes."

Duke përfshirë nivelet e vegjetacionit që mund të ndihmojnë në përhapjen e flakëve dhe burimet e ndezjes së zjarrit në analizë së bashku me parashikimet e kushteve të motit, qendra mund të shkojë më tej sesa të parashikojë vetëm rrezikun e zjarrit.

"Mësimi i makinerive vërtet ndihmon për të marrë më shumë saktësi në vendndodhjen ku mund të ndodhë një zjarr," tha McNorton.

Si shembull, shkencëtarja Francesca Di Giuseppe, përmendi zjarret shkatërruese të janarit në Los Anxhelos, që shkaktuan vdekjen e 28 njerëzve dhe dëmtuan ose shkatërruan afro 16,000 struktura.

Kushtet e pazakonta të motit të lagësht në periudhën para zjarreve shkaktuan rritje të bollshme të vegjetacionit, që më pas shërbeu si lëndë djegëse kur nisi moti jashtëzakonisht i thatë i dimrit.

Metoda e Probabilitetit të Zjarrit identifikoi rajonet që mund të ndikoheshin më rëndë nga zjarret. “Parashikimi ynë në këtë rast ishte shumë më i saktë dhe përcaktoi vendndodhjen e saktë, shumë afër Los Anxhelosit, ku ndodhi vërtet zjarri”, tha Giuseppe.

Vitin e kaluar, nivelet rekord të gazeve serrë ndihmuan në rritjen e temperaturave në nivelet më të larta të të gjitha kohërave dhe moti ekstrem shkaktoi shumë probleme në të gjithë globin. Zjarret detyruan zhvendosjen e 800,000 njerëzve, numri më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2008.

McNorton tha se metoda e fuqizuar nga inteligjenca artificiale mund të përdoret nga agjencitë e parandalimit të zjarrit për të identifikuar më saktë vendndodhjet e rrezikut të flakëve, duke i lejuar ato të shpërndajnë burimet në mënyrë të përshtatshme. “Është një hap i madh përpara, sa i përket parashikimit të zjarreve”, tha ai.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat