Shqipëria Postuar më 7 Prill 2026, 13:07

Ibrahimaj prezanton Portalin Unik të Punësimit: Një platformë e re për të rritur transparencën dhe efikasitetin në treg

Nga SCAN TV

Ibrahimaj prezanton Portalin Unik të Punësimit: Një

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionit, Adea Pirdeni, prezantoi Portalin Unik të Punësimit, një platformë e re e krijuar për të centralizuar shërbimet e punësimit në sektorin  publik dhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin në tregun e punës.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare në vitet e fundit ka shfaqur stabilitet dhe rritje të qëndrueshme, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e tregut të punës. Sipas saj, rritja ekonomike, zgjerimi i bizneseve, rritja e investimeve dhe konsumit kanë sjellë një kërkesë në rritje për punësim dhe një përmirësim të treguesve të punësimit në vend.

“Rritja ekonomike është baza e të gjitha zhvillimeve që pasojnë. Ajo është reflektuar në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke rritur të ardhurat e bizneseve dhe duke krijuar më shumë mundësi punësimi për qytetarët,” u shpreh ministrja.

Ajo nënvizoi se rritja e numrit të bizneseve, qarkullimit të tyre dhe investimeve, si vendase ashtu edhe të huaja, ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e papunësisë dhe rritjen e punësimit, duke u përkthyer edhe në paga dhe të ardhura më të larta për familjet shqiptare.

Në këtë kontekst, ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e krijimit të një tregu pune më të strukturuar dhe të aksesueshëm për të gjithë. Portali unik i punësimit synon të ofrojë një pikë të vetme informacioni për vendet e lira të punës, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.

Platforma e re mundëson publikimin e të gjitha vendeve të lira të punës në një sistem të vetëm, duke përfshirë edhe pozicionet në administratën publike, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet shtetërore.

“Qëllimi ynë është të standardizojmë procesin e rekrutimit dhe të rrisim transparencën. Çdo institucion i administratës publike tashmë është i detyruar të publikojë vendet e lira të punës në këtë portal, duke i dhënë mundësi çdo qytetari të aksesojë informacion të plotë dhe në kohë reale,” theksoi ministrja.

Sipas saj, portali është tashmë aktiv prej tre muajsh dhe zbatimi i detyrimit për publikimin e vendeve të lira të punës ka nisur prej dy muajsh. Deri më tani, rreth 80 institucione kanë publikuar mbi 1500 vende të lira pune në platformë, duke përfshirë si pozicione për nëpunës civilë, ashtu edhe për role të tjera në administratën publike.

Një element i rëndësishëm i platformës është vendosja e afateve të qarta për aplikim dhe transparenca në shpalljen e rezultateve. Çdo aplikant do të ketë 7 ditë kohë për të aplikuar, ndërsa rezultatet e procesit do të publikohen në mënyrë të hapur në portal.

Portali unik i punësimit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike dhe përmirësimit të ndërmjetësimit në tregun e punës, në funksion të rritjes së mundësive për punësim dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat