Shqipëria Postuar më 7 Prill 2026, 11:03

“Porta e Alpeve”, nënshkruhet kredia 50 mln euro - Investime në rrugë, transport e ujësjellës. Projekti total, 100 mln euro

Nga Ola Mitre

“Porta e Alpeve”, nënshkruhet kredia 50 mln euro - Investime

Banka Evropiane e Investimeve ka njoftuar nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë 50 mln euro për Shqipërinë, në kuadër të projektit “Porta e Alpeve”, që synon zhvillimin e qëndrueshëm të veriut të vendit dhe nxitjen e turizmit.

Projekti ka një vlerë totale prej rreth 100 milionë eurosh, çka nënkupton një skemë bashkëfinancimi, ku kredia e BEI-t mbulon gjysmën e investimit, ndërsa pjesa tjetër pritet të sigurohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera financiare.

Financimi do të kanalizohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të veprojë si ndërmjetës financiar dhe strukturë zbatuese për projektet konkrete, që do të zhvillohen në Lezhë, Shkodër dhe Malësi e Madhe.

Projekti është konceptuar si një program shumësektorial investimesh publike në zonën e veriut dhe përfshin disa fusha kryesore.

Në sektorin e transportit, që përbën dhe pjesën më të madhe të financimit të BEI-it prej 36 mln euro, parashikohen investime për përmirësimin e rrugëve rajonale, rritjen e sigurisë rrugore, zhvillimin e transportit publik si dhe krijimin e infrastrukturës për biçikleta dhe këmbësorë.

Një tjetër komponent lidhet me infrastrukturën bazë, ku përfshihen investime në furnizimin me ujë të pijshëm, trajtimin e ujërave të ndotura dhe menaxhimin e mbetjeve. Projekti përfshin gjithashtu ndërhyrje në zhvillimin urban dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, përmes restaurimit të objekteve historike dhe mbrojtjes së zonave me vlera të veçanta natyrore.

Sipas dokumenteve të BEI, programi synon të përmirësojë aksesin në shërbime, të rrisë atraktivitetin e rajonit për turizëm dhe investime, si dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik lokal në një zonë që konsiderohet ende e nënzhvilluar dhe me varësi të lartë nga bujqësia.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat