Shqipëria Postuar më 29 Gusht 2026, 10:28

Humbjet në rrjetin elektrik nuk ndryshuan - Prill-qershor / Rritje në sistemin e transmetimit, ulje në shpërndarje

Nga Ola Mitre

Humbjet në rrjetin elektrik nuk ndryshuan - Prill-qershor / Rritje në

Rreth 320 gWh energji elektrike humbën në rrjet gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti, një sasi thuajse e pandryshuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se humbjet totale u rritën me vetëm 0.1%.

Megjithatë, rritja e sasisë së energjisë në dispozicion ka bërë që pesha e humbjeve në rrjet të ulet. Në periudhën prill-qershor ato përbënin 16.5% të energjisë në dispozicion, nga 17.3% që ishte ky tregues në tremujorin e dytë të vitit 2025, me një reduktim prej 0.8%.

Të dhënat tregojnë ecuri të ndryshme në transmetim dhe shpërndarje. Humbjet në rrjetin e transmetimit u rritën me 20.4%, duke arritur në 52.7 gWh, nga 43.7 gWh një vit më parë. Në të kundërt, humbjet në rrjetin e shpërndarjes u reduktuan me 3.1%, nga 275.9 gWh në 267.4 gWh.

Gjithsesi, brenda rrjetit të shpërndarjes vihet re një ndryshim i fortë në strukturën e humbjeve. Humbjet teknike ranë nga rreth 202.4 gWh në tremujorin e dytë të vitit 2025, në 146.7 gWh këtë vit. Reduktimi i këtyre humbjeve lidhet zakonisht me investimet në rrjetin e shpërndarjes apo modernizimin e infrastrukturës. Në kahun tjetër, humbjet jo teknike ku futen kryesisht vjedhjet u rritën nga 73.5 gWh në 120.7 gWh.

Treguesi i humbjeve mbetet një nga parametrat kryesorë të performancës së operatorit të shpërndarjes, pasi ndikon drejtpërdrejt në kostot e sistemit dhe në eficiencën e furnizimit me energji elektrike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat