Shqipëria Postuar më 21 Nëntor 2025, 11:49

“Eficienca e energjisë, në krye” - Ligji i ri vendos godinat publike në qendër, të ulin çdo vit konsumin me 1%

Nga Ola Mitre

“Eficienca e energjisë, në krye” - Ligji i ri vendos

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për eficiencën e energjisë”, një nismë që synon të ndryshojë mënyrën se si konsumohet energjia në sektorë, si: transportin, ujësjellës kanalizime, ndërtesat, industrinë, bujqësia apo infrastruktura dhe teknologjitë e komunikimit dhe informimit.

Drafti parashikon objektiva të detyrueshme vjetore për reduktimin e konsumit, ndërsa e vendos administratën shtetërore si shembull për gjithë vendin.

Sipas projektligjit, duke nisur nga viti 2027, të gjitha institucionet publike, qendrore dhe vendore, duhet të ulin konsumin final të energjisë me të paktën 1% çdo vit, duke e krahasuar me nivelin bazë të vitit 2021. Për këtë, çdo godinë publike duhet të kalojë në një sistem të ri monitorimi, raportimi dhe menaxhimi të konsumit energjetik.

Në qendër të ligjit qëndron koncepti “eficienca në krye”, ku çdo investim, prokurim apo projekt i administratës do të duhet të vlerësojë performancën energjetike gjatë gjithë ciklit të jetës së pajisjeve dhe godinave. Produktet që blihen me fonde publike, nga ndriçimi, tek ngrohja, pajisjet elektronike dhe automjetet duhet të plotësojnë standardet më të larta të eficiencës.

Sikurse, edhe në ligjin aktual, njësitë e qeverisjes vendore detyrohen të hartojnë plane të veçanta të veprimit për eficiencën e energjisë, të cilat duhet të konsultohen me ministrinë përkatëse dhe shoqërinë civile përpara se të miratohen nga këshillat bashkiakë. Çdo bashki duhet të ketë të paktën një menaxher energjie të certifikuar, që do të mbikëqyrë masat e kursimit në të gjitha ndërtesat publike, ndriçimin rrugor, ujësjellësit dhe shërbimet me konsum të lartë.

Projektligji i ri, që shfuqizon ligjin ekzistues të vitit 2015, synon të përafrojë Shqipërinë me direktivat e fundit të Bashkimit Evropian për eficiencën energjetike dhe do të shërbejë si bazë për investime të mëdha në ndërtesat publike, duke i kthyer ato në shembull të transformimit të gjelbër që kërkohet edhe nga sektori privat.

 

Shqipëria 21 Nëntor Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan ka pasur një javë të paqëndrueshme duke regjistruar lëvizje të vazhdueshme të kuotës teksa është blerë këtë të premte me 83.2 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat