Shqipëria Postuar më 18 Shkurt 2026, 14:09

Dyfishohet financimi për bletarinë - Salla: 10 mijë euro grante për të rinjtë në blegtori. Zhbllokohet IPARD III

Nga Elisabeta Dosku

Dyfishohet financimi për bletarinë - Salla: 10 mijë euro grante

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi , aplikimet e së cilës pritet të hapen së shpejti, këtë vit do të ndryshojë.  Në një konferencë për media, Ministri i Bujqësisë, Andis Salla bëri me dije detaje nga skema e re, sipas së cilit për herë të parë do të aplikohen grante për të rinjtë që investojnë në blegtori deri në 10 mijë euro. Nga ana tjetër, do të dyfishohet mbështetja për bletarët, duke arritur në 2 mijë lekë për koshere.

”Dua të them sot këtu që në masat e reja që kemi diskutuar deri më tani me paketën dhe ndryshimet që ne do të bëjmë në paketën e re të Skemës Kombëtare, kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç mundësinë që ne t’i japim nga 7 deri në 10 mijë euro. Po e shikojmë me financat për të diskutuar mbështetjen financiare për të përllogaritur që çdo i ri dhe e re që hap një biznes, kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes sonë. Ne duhet të fusim rolin e të rinjve dhe të rejave që të jenë pjesë e këtij sistemi të rëndësishëm për ne, për të mbështetur këtë sektor, të cilin ne duhet ta rrisim, dhe të rinjtë dhe të rejat të jenë pjesë e kësaj pakete. Do ta vendosim në formë granti që ata të jenë pjesë e kësaj pakete që do të vendosim shumë shpejt. Sa i përket paketës së mbështetjes, kemi diskutuar me stafin edhe për mbështetjen e bletarisë. Bletaria është një sektor që në vitet e fundit është rritur ndjeshëm. Nga viti 2020 deri në 2025 kemi kaluar nga mbi 300 mijë koshere në mbi 600 mijë. Synimi është ta çojmë në 1 milion, duke dyfishuar mbështetjen ndaj këtij sektori të rëndësishëm. Përveç mbështetjes direkte për bletarinë, do të jetë edhe 10% për çdo kilogram mjalti, si pjesë e zinxhirit që kemi vendosur në mbështetje të tyre”.

Po ashtu, ministri bëri me dije se brenda Qershorit pritet të hapet dhe programi i Bashkimit Europian për mbështetjen e bujqësisë, IPARD III.

”Jemi gati në të gjitha proceset që kemi përmbyllur në detyrën që kemi për të vazhduar. Në datën 9 unë jam në Bruksel së bashku me ekipin për të vazhduar hapat e mëtejshëm, në mënyrë që të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm, ku janë mbi 112 milionë euro nga Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër, i mbështetur nga qeveria shqiptare, duke çuar buxhetin në 147 milionë. Ne kemi një paketë të plotë këtë vit për të mbështetur fermerët. 5,2 miliardë lekë janë pjesë e paketës së AZHBR dhe mbështetje nga fondi i qeverisë shqiptare. Pjesa tjetër është Garancia Sovrane, një sektor mbështetës ndaj fermerëve, dhe IPARD rreth 147 milionë euro, të cilat ne do t’i vendosim drejtpërdrejt për fermerët. Është një mundësi që çdo fermer të jetë pjesë e kësaj pakete dhe të mbështetet nga qeveria shqiptare, në mënyrë që ato dëgjesa dhe atë çfarë na është kërkuar drejtpërdrejt nga ta, të jemi të gatshëm dhe t’i orientojmë. Është e rëndësishme ta themi këtë për të bërë ne mbështetjen ndaj fermerëve”.

Sa i takon sigurisë ushqimore, Ministri theksoi se Përveç Urdhrit të Agronomit, do të ngrihen 7 laboratorë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të mbuluar sektorin e sigurisë ushqimore dhe do të pajisen me laboratorë 5 pikave kufitare për eksportet dhe importet.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat