Analiza Postuar më 18 Shkurt 2026, 11:40

Rreth 9.6 milionë netë qëndrime në 2025/ Dominojnë hotelet, “shpërthen” akomodimi alternativ dhe kampingu

Nga Scan TV

Rreth 9.6 milionë netë qëndrime në 2025/ Dominojnë

Viti 2025 mbyllet me 9.67 milionë netë qëndrime në strukturat akomoduese. Është një rritje me gati 30% krahasuar me një vit më parë. Nga 2.22 milionë netë qëndrime shtesë që janë gjeneruar në një vit, rreth 1.9 milionë vijnë nga të huajt. Me fjalë të tjera, pothuajse i gjithë zgjerimi i tregut mbështetet te të huajt. Pesha e tyre në total ngjitet në afërsisht 74% të netë qëndrimeve, ndërsa rezidentët zbresin relativisht në rreth një të katërtën e tregut.

Kjo do të thotë se 2025-a nuk është thjesht vit rritjej, por edhe një vit thellimi i varësisë nga tregu ndërkombëtar.

Sezonaliteti mbetet i theksuar, madje përforcohet. Gushti arrin 2.26 milionë netë qëndrime, korriku 1.84 milionë dhe qershori 1.2 milionë. Tre muaj përqendrojnë më shumë se gjysmën e volumit vjetor. Janari dhe shkurti qëndrojnë shumë poshtë, rreth 230 mijë secili. Kjo tregon se zgjerimi nuk ka ardhur nga zgjatja e sezonit, por nga intensifikimi i kulmit veror.

Nëse hyjmë në sjelljen e të huajve sipas llojit të akomodimit, tabloja bëhet më interesante. Në 2025, nga 7.13 milionë netë qëndrime të jo-rezidentëve, 6.48 milionë realizohen në hotele dhe struktura të ngjashme. Pra rreth 91% e të huajve vazhdojnë të qëndrojnë në modelin tradicional hotelier. Megjithatë, dinamika e rritjes nuk është aty.

Akomodimet për pushime dhe struktura të tjera afatshkurtra (që përfshijnë apartamente, vila) rriten me 87.8% brenda një viti. Ky është segmenti me rritjen më të shpejtë në të gjithë tregun. Edhe hapësirat për kampingje rriten me mbi 40%, por nga një bazë e vogël.

Pra, 2025-a konfirmon dy realitete paralele, dominimin e hotelit dhe shpërthimin e akomodimit alternativ. Hotelet mbajnë peshën absolute, por rritja relative po zhvendoset drejt formave më fleksibile dhe më pak tradicionale.

Në krahasim me 2019-ën, ndryshimi është edhe më i qartë. Netë qëndrimet e të huajve janë mbi trefishuar. Por akomodimet për pushime dhe kampingjet janë rritur mbi 250%, më shpejt se hotelet. Kjo do të thotë se pas pandemisë nuk kemi vetëm rikuperim, por transformim të modelit të qëndrimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat