Shqipëria Postuar më 18 Shkurt 2026, 11:34

Korridori VIII, një domosdoshmëri strategjike - Tajani: Përparësi strategjike për ekonomitë tona. Zhvillohet në Tiranë ministeriali

Nga Fabjona Pasho

Korridori VIII, një domosdoshmëri strategjike - Tajani:

Në Tiranë është zhvilluar forumi i ministrave të Jashtëm të vendeve nga ku kalon korridori VIII (Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Bullgari dhe Rumani, si dhe Itali). Sipas ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, tashmë sfida reale është statusi i këtij korridori brenda rrjetit evropian të transportit.

"Për sa kohë që segmente kyçe të Korridorit VIII mbeten jashtë rrjetit bazë TEN-T, korridori nuk mund të tërheqë shkallën e financimit dhe prioritetit politik që meriton. Ai mbetet strategjikisht i rëndësishëm, por financiarisht dytësor. Prandaj hapi i ardhshëm është i qartë. Korridori VIII duhet të pranohet brenda rrjetit bazë ose rrjetit bazë të zgjeruar TEN-T. Ky vendim do të zhbllokonte financimet, do të sinkronizonte investimet dhe do ta kthente këtë korridor në një prioritet të vërtetë evropian. 
Kjo nuk është çështje e një trajtimi të veçantë. Është çështje logjike strategjike. Europa nuk mund të flasë për qëndrueshmëri, zgjerim dhe autonomi strategjike, ndërkohë që aksin e saj të vetëm jugor lindje–perëndim e lë jashtë rrjetit të saj bazë të transportit."

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër I Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, theksoi se Korridori VIII është pjesë e strategjisë për bashkimin e Ballkanit me BE-në.

“Edhe për italianët korridori VIII nuk është vetëm zgjedhje teknike, është zgjedhje politike se kjo pjesë e strategjisë tonë për bashkimin e Ballkanit, është përparësi strategjike për qeverinë italiane, do të bëjmë maksimumin t’ju ndihmojmë që të bëheni pjesë e BE dhe jam i qartë për Ballkanin Perëndimor. Më 30 mars do të kemi një grup të miqve të Ballkanit për të afirmuar mbështetjen për bashkimin e rajonit.

Deklarata e përbashkët që do miratojmë, do të përçojë mesazh të fuqishëm, korridori 8 është përparësi e përbashkët strategjike për ekonomitë tona. Jemi të angazhuar për të hedhur hapa konkrete për realizimin e tij. Është kryesor për tregtinë, për Italinë tregtia është pak a shumë 40% e PBB sonë. Objektivi ynë është të rrisim eksportet, për këtë do punojmë fort Potenciali për aktivitet ekonomik mes Adriatikut dhe Ballkanit, është i jashtëzakonshëm.

Sot më shumë se kurrë, përfundimi i Korridorit VIII është objektiv kyç sigurie, është instrument për të forcuar shtyllën europiane të NATO-s”, ”, tha Tajani.

Sipas tij, nëse duam të jemi më të rëndësishëm, nëse duam të flasim me amerikanët në të njëjtin nivel na duhet të forcojmë shtyllën europiane të NATO-s.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat