Analiza Postuar më 18 Shkurt 2026, 10:55

Shqipëria, në garën globale të internetit/ Sa shpejt lundrojmë në botën digjitale në 2026-ën?

Nga Eldiona Serani

Shqipëria, në garën globale të internetit/ Sa shpejt

Shpejtësia e internetit konsiderohet sot si një nga treguesit më të rëndësishëm të nivelit të digjitalizimit dhe zhvillimit teknologjik të një vendi. Ajo ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si qytetarët komunikojnë, punojnë, studiojnë apo zhvillojnë bizneset e tyre online. Por sa progres ka bërë Shqipëria në këtë drejtim?

Sipas indeksit më të fundit të publikuar nga kompania globale e matjes së shpejtësisë së internetit Ookla, Shqipëria renditet në vendin e 45-të në botë për shpejtësinë e internetit në celular. Shpejtësia mesatare e regjistruar arrin në rreth 116.6 Mbps. Për këtë tregues nuk evidentohet një përmirësim apo përkeqësim i ndjeshëm krahasuar me vitin 2025.

Ndërkohë, situata paraqitet disi më pozitive për internetin fiks. Shqipëria renditet në vendin e 69-të në botë, duke shënuar një përmirësim me 5 vende në klasifikim. Shpejtësia mesatare e internetit fiks në vend llogaritet në rreth 93.3 Mbps.

Po si paraqitet situata në nivel global dhe rajonal?

Sipas të dhënave të publikuara, në krye të renditjes për shpejtësinë e internetit në celular qëndrojnë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat dominojnë si në shkarkimin ashtu edhe në ngarkimin e të dhënave. Pas tyre renditen Katari, Kuvajti dhe Bahreini, vende që kanë investuar fuqishëm në rrjetet 5G dhe teknologjitë e avancuara.

Një surprizë në renditje paraqet Bullgaria, e cila udhëheq në Europë për shpejtësinë e internetit mobil dhe renditet ndër pesë vendet më të mira në botë për këtë tregues.

Sa i përket internetit fiks, në krye të listës qëndron Singapori, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Franca, vende që njihen për infrastrukturë shumë të zhvilluar digjitale.

Në anën tjetër të renditjes, realiteti paraqitet më sfidues për disa shtete si Bolivia, Siria dhe Kuba, të cilat pozicionohen në fund të listës për shkak të infrastrukturës së kufizuar dhe faktorëve ekonomikë apo politikë. Ndërkohë në rajon shteti me shpejtësinë më të ulët paraqitej Bosnje& Hercegovina. Në përmbledhje, Shqipëria paraqitet në një pozicion mesatar në rang global, me stabilitet në internetin mobil dhe përmirësim të lehtë në atë fiks.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat