Shqipëria Postuar më 26 Nëntor 2025, 12:20

Dominon euro në depozitat e parasë së gjerë - Totali, 1.46 trilionë lekë në muajin tetor. Rriten edhe kursimet në monedhën vendase

Nga Ledina Elezi

Dominon euro në depozitat e parasë së gjerë - Totali, 1.46

Euroja është monedha që mbizotëron në bankat shqiptare kur vjen çështja te paratë që qytetarët, bizneset apo institucione të tjera mbajnë në depozita dhe llogari të tjera të tyre. Shumica e parave tona në bankë rezultojnë të jenë në monedhë të huaj. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave të përfshira në paranë e gjerë arriti gati 1.46 trilionë lekë në muajin tetor, duke u rritur kështu me 0.6% në krahasim me shtatorin.

Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i referohen të gjithë parave që qytetarët dhe bizneset mbajnë në bankë, pra paratë në llogaritë bankare, në llogari kursimi, në depozita afatshkurtra ose afatgjata dhe të tjera.

Kursimet në valutë vijojnë të rriten për të disatin muaj radhazi. Normat e ulëta të interesit apo zhvlerësimi i euros nuk po ndikojnë në sjelljen e qytetarëve për t'u larguar nga mbajtja e kursimeve në monedhën evropiane dhe zgjedhjen e depozitave në lekë.

Kursimet në lekë rezultojnë të kenë pësuar një rritje më të madhe, ndërsa rritja e atyre në valutë paraqitet tepër e vogël. Konkretisht, depozitat në monedhën kombëtare llogariten në 687 miliardë lekë, rreth 1% më shumë se në shtator. Ndërkohë, depozitat në valutë kapin një shifër prej 771 miliardë lekësh, një vlerë kjo rreth 0.3% më e lartë se në muajin pararendës.

Nga ana tjetër, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat e transferueshme në lekë, të cilat i referohen parave që ne mbajmë në llogaritë tona bankare, kanë arritur në 403 miliardë lekë në tetor, ndërsa ato në valutë në 387 miliardë lekë.

Depozitat pa afat dhe llojet e tjera të depozitave vijnë me një shumë më të vogël dhe me një rritje më të lehtë krahasuar me korrikun.

Për sa i përket depozitave në valutë të përfshira në paranë e gjerë, shifrat flasin gjithashtu për një rritje të depozitave me likuiditet të lartë (depozitat pa afat) dhe të llojeve të tjera të depozitave.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat