Europa Postuar më 26 Nëntor 2025, 11:43

Gjermani, tregjet e Krishtlindjes kushtojnë shtrenjtë - Kostot e sigurisë janë rritur me 44% gjatë 3 viteve të fundit

Nga Kristi Ceta

Gjermani, tregjet e Krishtlindjes kushtojnë shtrenjtë - Kostot e

Tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani, që tërheqin shumë turistë dhe mbështesin ekonomitë lokale, po përballen me kostot e larta të sigurisë pas një serie sulmesh. Një anketë kombëtare nga Shoqata Federale për Marketingun e Qyteteve dhe Fshatrave zbuloi se kostot për ngjarjet publike, duke përfshirë tregjet e Krishtlindjes, janë rritur mesatarisht me 44% gjatë tre viteve të fundit.

Siguria u rrit ndjeshëm pas incidentit të vitit 2016, kur një terrorist islamik përplasi një kamion në një treg në Berlin. Ndërsa sulmi vdekjeprurës në qytetin lindor të Magdeburgut në dhjetor të vitit të kaluar ka rikthyer shqetësimin për masat e sigurisë në këto evente shekullore. Autoritetet thanë se gjatë sulmit në Magdeburg, autori përdori daljet e emergjencës për të hyrë në territorin e tregut, duke goditur mbi 200 persona në një sulm që zgjati 3 minuta.

“Kërkesat janë bërë gjithnjë e më të rrepta,” tha një ekspert i sektorit në Berlin, i cili ka shtuar barriera të mëdha prej betoni, kontrollet në hyrje, mbikëqyrjen me video dhe personel të trajnuar të sigurisë.

Ministria e Brendshme ka pranuar shqetësimet. “Për shkak të numrit të lartë të vizitorëve, vendndodhjes kryesore dhe hyrjes së hapur, tregjet e Krishtlindjes që zhvillohen në mbarë vendin përbëjnë një rrezik të veçantë,” sqaruan burime zyrtare.

Edhe pse qytetet zakonisht marrin subvencione nga buxhetet e tyre për të mbuluar kostot e organizimit të tregjeve, komunat më të vogla dhe organizatorët privatë shpesh i përballojnë vetë kostot. Autoritetet lokale kërkojnë që 16 shtetet federale të marrin barrën financiare, duke argumentuar se kjo përbën luftë kundër terrorizmit dhe nuk hyn në kompetencat e tyre.

Kancelari Friedrich Merz tha javën e kaluar se qeveria federale nuk mund të ofrojë mbështetje, pasi është përgjegjësi e forcave të policisë shtetërore, por shtoi se po ndjek me kujdes çështjen.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat