Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2026, 10:53

Dita më e nxehtë, temperaturat kalojnë 40 gradë! - Elbasani dhe Berati, ndër qytetet ku termometri shënon vlerat më të larta

Nga Fabjona Pasho

Dita më e nxehtë, temperaturat kalojnë 40 gradë! - Elbasani

E mërkura shënon kulmin e valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin prej disa ditësh. Temperaturat maksimale llogariten në 41 deri në 42 gradë Celsius në zonat më të nxehta, me Elbasanin dhe Beratin ndër qytetet ku termometri shënon vlerat më të larta. Temperatura të larta regjistrohen edhe në kryeqytet dhe në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, territori i vendit ndodhet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta. Moti mbetet kryesisht i kthjellët, ndërsa vranësira të pakta kalimtare shfaqen kryesisht në zonat e larta malore gjatë pjesës së dytë të ditës.

Kulmi i temperaturave është në orët e mesditës dhe të pasdites, kur në zonat e ulëta vlerat kalojnë pragun e 40 gradëve. Sinoptikanët e cilësojnë të mërkurën si ditën më të nxehtë të kësaj vale, me temperatura që në zona të veçanta mund të afrohen me 42 gradë Celsius në hije.

Nxehtësia e fortë nuk largohet menjëherë. Edhe në ditët në vijim temperaturat mbeten të larta, megjithëse pa arritur domosdoshmërisht vlerat maksimale të kësaj të mërkure.

Në kushtet e temperaturave ekstreme, qytetarët këshillohen të kufizojnë qëndrimin në diell gjatë orëve më të nxehta, të konsumojnë rregullisht ujë dhe të përdorin veshje të lehta e mbrojtje nga dielli. Kujdes i shtuar sugjerohet për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore, të cilët janë më të ekspozuar ndaj dehidratimit dhe goditjes nga nxehtësia.

                                                                            

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat