Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2026, 10:18

Fermerët do marrin mbrapsht 8.3 milionë euro - Regjistrohen 3,366 aplikime, 10% kompensim TVSH-je për faturat e lëshuara

Nga Elisabeta Dosku

Fermerët do marrin mbrapsht 8.3 milionë euro - Regjistrohen 3,366

Fermerët do të marrin mbrapsht në llogaritë e tyre bankare afro 8.3  milionë euro si kompensim i 10% të faturave të dorëzuara në administratën tatimore.

Ndërsa aplikimet për përfitim kanë nisur nga data 1 Korrik, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë periudhës 1 korrik – 10 gusht 2026,  3,366 fermerë në të gjithë vendin kanë aplikuar për të përfituar kompensimin 10% mbi faturat e shitjeve të produkteve bujqësore për periudhën nga janari në qershor.

Deri më tani, rezultojnë të jenë 1,120 aplikime janë miratuar dhe 2,138 janë në proces shqyrtimi.

Sa i takon numrit të aplikimeve sipas Drejtorive Rajonale Tatimore, fluksi më i lartë i përket Fierit, ndjekur nga Berati, Elbasani, Shkodra, më pas renditet Korça, Dibra, Durrësi, Gjirokastra, Saranda, Lezha dhe në fund janë Vlora dhe Tirana.

Ndërsa vlera totale potenciale e  kompensimit që mund të përfitojnë fermerët për shitjet e 6-mujorit të parë llogaritet në 13.8 milionë euro.

Administrata Tatimore, nëpërmjet një udhëzuesi praktik informon fermerët e regjistruar mbi procedurën e aplikimit, duke i nxitur ata që të marrin mbrapsht paratë që u takojnë.

Sipas administratës tatimore përfitues do të jenë vetëm fermerët e regjistruar si prodhues bujqësor pranë tatimeve, që nuk janë të regjistruar për TVSH-në dhe që kanë një nipt aktiv. Aplikimi bëhet me 5 hapa kryesorë. Fillimisht fermeri identifikohet në llogarinë personale eFiling me NIPT -in dhe fjalëkalimin dhe pastaj shkon tek menuja “Çështjet e mia”

Pasi sigurohet që fillimisht të ketë plotësuar të dhënat e llogarisë bankare ne menune “Detajet e Bankës”, klikon në hapësirën çështjet e mia .

Në hapësirën çështjet duhet të zgjedhë opsionin “Krijo një Çështje të Re” dhe “Kërkesë për rimbursim të fermerëve”. Më pas fermerët duhet të plotësojnë formularin, në të cilin zgjidhim faturat që duan të përfshijnë dhe llogarinë bankare ku duan të marrin paratë. Sistemi llogarit vetë shumën totale dhe kompensimin 10%.

Aplikimi përfundon duke klikuar tek "Dorëzo Kërkesën ". Më pas fermerit i jepet mundësia të ndjekë në vijimësi statusin e kërkesës, dhe përgjigja gjendet te menuja “ Të dorëzuara ”. Me kërkesë të Administratës Tatimore fermerëve mund tu kërkohet që të bashkëngjisin dokumente shtesë sipas informacionit të kërkuar.

Pasi bëhet dorëzimi i kërkesës, ajo kalon automatikisht në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar fermeri, më pas kryhet verifikimi i të dhënave sipas kritereve ligjore të skemës. Kryhet trajtimi procedurial i çështjes dhe në fund fermeri merr përgjigje  Aprovuar ose Refuzuar tek menuja  “Të dorëzuara”.

Referua të dhënave të tatimeve në 5 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, rezultojnë 25% më shumë blerës me TVSH që po blejnë produkte nga fermerët; 24% më shumë fermerë po shesin produktet e tyre te blerësit me TVSH dhe 19% rritje e vlerës së transaksioneve të realizuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat