Shqipëria Postuar më 11 Gusht 2026, 13:02

Vetëm 33 mijë prona të siguruara nga zjarri - AMF: Shtohen dëmet nga fatkeqësitë, por shumë qytetarë ende hezitojnë të mbrojnë banesën

Nga Ledina Elezi

Vetëm 33 mijë prona të siguruara nga zjarri - AMF: Shtohen

Pavarësisht se nga viti në vit, Shqipëria po përfshihet prej një vale të nxehti që sjell shpërthimin e vatrave të shumta të zjarrit, të cilat shpesh rrezikojnë jetët e njerëzve, të kafshëve, shkatërrojnë banesa, biznese dhe toka bujqësore, shqiptarët vijojnë të mos shfaqin interes për të mbrojtur jetën apo pronën e tyre nga kjo fatkeqësi.

Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto nga sigurimi prej zjarrit dhe forcat e natyrës ranë me gati 16% në gjysmën e parë të këtij viti. Kompanitë e sigurimit arkëtuan vetëm 1.2 miliardë lekë nga prerja e kësaj police sigurimi. 

Nga ana tjetër, vetëm 33 mijë prona rezultojnë të jenë siguruar për t'u mbrojtur nga çdo zjarr apo dëmtim tjetër i mundshëm në të ardhmen. Pavarësisht se primet e shkruara bruto rezultojnë me rënie, numri i kontratave është rritur me 6%.

Pra, është rritur lehtë numri i pronave të siguruara, por janë derdhur shuma më të vogla parash nga qytetarët për këtë policë sigurimi.

Po për sa i përket dëmeve të paguara?

Teksa kompanitë po mbledhin më pak para nga kjo policë sigurimi, dëmet që ata paguajnë po rriten. Statistikat tregojnë se vlera totale e dëmshpërblimit është rritur me 117% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për shkak të dëmeve të shkaktuara nga zjarri apo forca të tjera natyrës, qytetarët kanë pëfituar në total 375 milionë lekë mbulim nga shoqëritë ku kanë siguruar pronën e tyre. Edhe dëmtimet e tjera në pronë, si për shembull vjedhja, shfaq të njëjtin trend.  

Kjo rritje në vlerën e dëmeve të paguara tregon se rastet e zjarreve po shtohen, por numri i pronave të siguruara vijon të mbetet shumë i vogël në raport me numrin e të gjithë pronave që ekzistojnë në Shqipëri.

Të gjitha këto nënkuptojnë se qytetarët shqiptarë presin ndihmë vetëm nga shteti kur vjen çështja te mbulimi i dëmeve nga zjarri, ndihmë kjo që mund të jetë shpesh vonuar, dhe nuk ndërmarrin vetë një përpjekje të dytë për të mbrojtur pronën e tyre duke prerë një policë të thjeshtë sigurimi.

Shqipëria 11 Gusht Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan është blerë mëngjesin e sotëm me 80 lekë dhe është shitur me 81.1 lekë në raport me një ditë më parë duke mos pasur luhatje të......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat