Shqipëria Postuar më 22 Tetor 2025, 11:38

Bonusi, sa do të marrin pensionistët në fundvit? - Skema me dy nivele, 15 mijë lekë shpërblim për pensionet deri në 20 mijë lekë

Nga Elisabeta Dosku

Bonusi, sa do të marrin pensionistët në fundvit? - Skema me dy

Rreth 721 mijë pensionistë do të përfitojnë bonus në fundvit. Qeveria ka vendosur në dispozicion për këtë qëllim një shumë totale prej 9.4 miliardë lekësh apo 97 milionë eurosh, ku përfshihet shtesa prej 5.9 miliardë lekësh dhe vlera e programuar në buxhetin fillestar prej 3.5 miliardë lekë.

Por si do të funksionojë skema e shpërblimit këtë fundvit dhe si do të shpërndahen rreth 97 milionë euro?

Burime nga qeveria bëjnë më dije për SCAN TV se bonusi do të aplikohet i diferencuar. Kështu më shumë se 511 mijë pensionistë, ku përfshihen edhe pensionet e invaliditetit dhe ato familjare, pensioni i të cilëve është deri në 20 mijë lekë në muaj, do të marrin bonus 15.000 mijë lekë (150 euro). Pra, vetëm për këtë kategori do të shkojnë afro 76 milionë euro.

Ndërsa dhe kategoria e pensionistëve të cilët marrin një pension mujor mbi 20 mijë lekë në muaj do të marrin bonus 10 mijë  lekë (100  euro). Pra, rreth 210 mijë pensionistë do të marrin bonusin prej 100 euro,  dhe buxheti total që shkon për këtë kategori është rreth 21 milionë euro.

Kjo skemë përdorët si një formë për tu dhënë më shumë mbështetje atyre pensionistëve të cilët kanë pensione më të ulëta.

Por cilat janë kategoritë që përfitojnë shpërblim në fundvit?

Pensionet e pleqërisë, Pensionet e kooperativave, Pensionet sociale, Pensionet e invalidëve të luftës, Pensionet e caktuara me dekret, Pensionet e caktuara nga sigurimet shoqërore, Pensione suplementare, Pensionet e familjeve të pilotëve që humbin jetën, Pensionet e oficerëve, Pensionet e minatorëve, Pensionet e atyre që kanë punuar nën tokë, Pensionet e ushtarakëve, Pensionet e akademikëve, Pensionet e personave që kryejnë funksione kushtetuese, Pensionet e invalidëve, Pensione të veçanta, Pensionet për fëmijët në përkujdesje të shtetit.

Në dhjetor 2024, po të ndarë në dy nivele, pensionistët gjithashtu morën 15 mijë lekë dhe 10 mijë lekë shpërblim.

Ndërsa bonusi i pranverës 2025 ishte në nivelin 10 mijë lekë për pensionet deri në 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë për pensionet mbi 20 mijë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat