Shqipëria Postuar më 12 Maj 2026, 13:19

Bizneset shqiptare, skemë të re financimi nga BEI - Rama: Nuk kemi plan B veç BE-së. Synojmë të marrim nga ju dije e investime 

Nga Diamila Leka

Bizneset shqiptare, skemë të re financimi nga BEI - Rama: Nuk kemi

Bizneset e vogla dhe të mesme shqiptare do të kenë akses në një linjë të re financimi me kushte lehtësuese, falë marrëveshjes së nënshkruar mes Bankës Europiane të Investimeve dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania. Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë bashkëpunim një mbështetje strategjike për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe forcimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë partnerët tanë më të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës, për të mbështetur familjet dhe sigurisht për të krijuar hapësirë për të rinjtë që të rriten dhe për t’i dhënë vendit kaq shumë gjëra të mira. Nuk është thjesht vlera e parave. Në këtë rast për këtë program do të kushtojmë një vlerë shumë më të madhe parash, por është dija, është mundësia për të mësuar nga mënyra se si ato do të ecin në këtë drejtim dhe për të bërë maksimumin, për të përfituar prej tyre përvojën që kanë krijuar në kaq shumë vite në mbështetje të shteteve anëtare për t'u transformuar vetë e për të mbështetur NVM-të në mbarë Bashkimin Euopian. E dashur, Nadia përpara se të vinim këtu më pyete, pse vazhdojmë të këmbëngulim, të presim me padurim të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, pse situata nuk është fort frymëzuese sot. Kam një përgjigje shumë të thjeshtë: sepse nuk ka alternativë përkundrejt lirisë, lirisë individuale dhe shtetit të së drejtës, çka nënkupton, barazisë prepare ligjit. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B. Shqipëria kurrë nuk i ka hedhur sytë në një drejtim tjetër sepse ne e dimë prej historisë sonë, e kemi mësuar në kurriz që çdo plan i mundshëm B apo C, është plan pa liri individuale dhe pa barazi përpara ligjit.”

Presidentja e Bankës Europiane të Investimeve, Nadia Calvino, deklaroi se institucioni që ajo drejton ka investuar mbi 1 miliard euro në Shqipëri, në sektorë si transporti, energjia, ujësjellësi dhe teknologjia digjitale.

“Ne kemi investime më shumë se 1 miliard euro kemi tani në Shqipëri, me një ndikim shumë të fortë në fushat të cilat janë pranë jetës së qytetarëve: transporti, energjia, uji, zhvillimi i teknologjive digjitale, të cilat i përmendët po ashtu një moment më parë. Aktualisht po mbështesim modernizimin e kurudhave shqiptare, të rrjetit hekurudhor, gjithashtu sistemin e ujësjellësit në Tiranë, infrastrukturën urbane në Shqipërinë e Veriut për të përmirësuar kushtet e jetesës, ndërlidhshmërinë rajonale dhe turizmin. Dhe në 2026 synojmë të rrisim financimin tonë në këtë vend me 60%, siç e thashë një moment më parë. Kjo tregon vendosmërinë e palëkundur dhe angazhimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rritjen e investimeve për të mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Gjatë dhjetë viteve të fundit, më shumë se 20.000 ndërmarrje të vogla e të mesme kanë përfituar nga financimi ynë ofruar në partneritet me bankat tregtare.”

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se financimi i ri prej 20 milionë eurosh do t’u jepet bizneseve shqiptare në kushte të favorshme, ndërsa një pjesë e investimit do të rikthehet përmes mekanizmit “cashback”.

“Kjo marrëveshje e nënshkruar sot për Shqipërinë është 20 milionë euro financim i ri që do t'i vihet në dispozicion bizneseve shqiptare në kushte të favorshme financimi. Ky financim do të mbështesë investimet në tranzicionin e gjelbër dhe digjital, në automatizimin industrial, inteligjencën artificiale, softuerët dhe sistemet cloud, logjistikën inteligjente, energjinë e ripërtëritshme, eficiencën energjetike dhe projekte që lidhen me qëndrueshmërinë e klimës. Një element veçanërisht i rëndësishëm i cili duhet të ndahet është mekanizmi cashback. Përmes këtij regresi evropian, 10% e investimeve të kryera nga biznesi në inovacion, në digjitalizim dhe tranzicionin e gjelbër do të kthehen mbrapsht pas zbatimit të suksesshëm. Ky mekanizëm që do të nënshkruhet sot ul kostot e investimeve për bizneset dhe krijon stimuj më të fortë për kompanitë që të modernizohen dhe të investojnë në teknologji.”

Sipas të dhënave të Bankës Europiane të Investimeve, gjatë dekadës së fundit mbi 20 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme kanë përfituar financime në partneritet me bankat tregtare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat