Shqipëria Postuar më 12 Maj 2026, 13:17

Tatimet referojnë 95 çështje në prokurori - Fshehje të ardhurash dhe pastrim parash, preken 133 subjekte

Nga Elisabeta Dosku

Tatimet referojnë 95 çështje në prokurori - Fshehje

Sektori i Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Sektorin e Administrimit dhe Analizës, si dhe, me Sektorin e Parandalimit të Pastrimit të Parave, kanë referuar gjithsej gjatë vitit 2025, 95 çështje në Prokurori, të cilat përfshijnë 133 subjekte.

Çështjet lidhen kryesisht fshehje të ardhurash, mospagim të tatimeve dhe pastrimin e produktit të veprës penale, etj.

Referuar raportit të Tatimeve, nga përmbledhja e të dhënave, vlerat totale të detyrimeve të evidentuara sipas neneve të Kodit Penal nga Drejtoria e Hetimit Tatimor rezulton në afro 10.8 miliardë lekë.

Shkelje janë evidenuar në nenet 180 dhe 181 të Kodit Penal. Konkretisht neni 180 citon se “Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet” . Dhe neni 181 i citon se  “Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, me gjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Vlera e shkeljeve të konstatuara në këto dy nene arrin në 10.3 miliardë lekë.

Për shkelje që lidhen me Neni 144 të Kodit Penal ku citohet se “Mashtrimi në dokumentet e paraqitura, duke përfituar padrejtësisht subvencione nga shteti, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet”, konstatohet një vlerë prej  rreth 71 milionë lekësh. Ndërsa në nenin 287 që lidhet me pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale është konstatuar një vlerë shkeljesh që arrin në 517 milionë lekë.

Gjatë vitit 2025, Sektori i Hetimit ka marrë dosje të deleguara nga Prokuroritë për çështje të ndryshme penale. Këto hetime janë kryesisht në drejtim të veprave penale të “Fshehjes së të ardhurash”, “Mospagimit të taksash dhe tatimeve”, “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Pastrimit të produkteve të veprave penale ose veprimtarisë kriminale.

Po ashtu,  sektori i Hetimit ka bashkëpunuar me autoritetet e huaja përmes letërporosive, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe mbështetjen e hetimeve në çështje komplekse ndërkombëtare. Ky bashkëpunim ka mundësuar ndjekjen e veprave penale me elementë ndërkufitar dhe rritjen e efikasitetit të hetimeve tatimore dhe financiare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat