Shqipëria Postuar më 12 Maj 2026, 12:08

Industria e qumështit përballë standardeve të BE - Raport për 253 subjekte. Qeveria, gati një plan mbështetjeje për sektorin

Nga Elisabeta Dosku

Industria e qumështit përballë standardeve të BE - Raport

Subjektet që operojnë në industrinë e qumështit duhet të plotësojnë standardet që kërkon Bashkimi Europian, në mënyrë që të rezistojnë në treg pas integrimit. Konferenca e parë Kombëtare e Industrisë së Qumështit vuri theksin tek nevoja për investime në këtë drejtim.

“Nuk ka integrim pa standarde dhe duhet që në fund të integrimit, të kalojmë klasën. Sfida e integrimit vjen me sfidën e investimit dhe pa mbështetje bankare nuk mund të arrijmë investimet”.

Për Ministrinë e Bujqësisë, konsolidimi i sektorit dhe rritja e standardeve është prioritet.

“Sektori i qumështit ka potencial ekonomik dhe social, por kërkon konsolidim të mëtejshëm në një hark kohor të shkurtër.  Prioritet i Ministrisë është konsolidimi i sektorit, rritja e standardeve dhe kategorizimi i subjekteve proces i cili po kryhet aktualisht nga AKU. Kategorizimi do ndihmojë që çdo operator të ketë një plan veprimi dhe standarde.”

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti, bëri me dije se aktualisht ka përfunduar faza e parë  e kategorizimit për 253 subjekte në këtë sektor dhe deri në fund të vitit do të krijohet një panoramë reale për sektorin, në bazë të së cilës do të merren masa.

“Pasi të dalim në një konkluzion, do dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe ndoshta do të hartojmë një politikë për mbështetjen e sektorit. Në fund të vitit do të dalë raporti përfundimtar për 253 operatorë të biznesit."

Nga ana tjetër, Shoqata e Prodhuesve të Shqipërisë ka kërkuar nga qeveria ndërmarrjen e një plani të detajuar kombëtar për të informuar bizneset për pasojat nëse nuk plotësojnë standardet europiane.  Në konferencë morën pjesë përfaqësues të bizneseve në këtë industri, akademia, sistemi bankar si dhe përfaqësues të qeverisë. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat