Kosova Postuar më 10 Shtator 2026, 17:15

Hagë, prokurori kërkon dënim me 6 vjet burgim për Hashim Thaçin, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Nga SCAN TV

Hagë, prokurori kërkon dënim me 6 vjet burgim për Hashim

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim për pengim të drejtësisë në rastin kundër tij dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mbrojtja e Thaçit, në anën tjetër, ka argumentuar se ZPS-ja nuk ka sjellë prova që arsyetojnë dënimin e kërkuar ndaj tij dhe ka thënë se ai duhet të lirohet nga të gjitha akuzat.

Prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, tha gjatë shpalosjes së deklaratave përmbyllëse se "akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe që ka vërtetuar janë krime”.

“Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor në këtë gjykatë, paraqet kërcënim për adresimin e drejtë të drejtësisë", tha prokurori Hafetz.

Por, avokatja mbrojtëse e Thaçit, Sophie Menegon, kundërshtoi pretendimet e Hafetz, duke thënë se ZPS-ja po kërkon dënim për Thaçin “sepse i duhet t’i mbulojë dhe arsyetojë masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj zotit Thaçi për muaj të tërë”.

“Pra, incizimi i fshehtë i të gjitha bisedave të tij dhe bisedave telefonike dhe bisedave jo të privilegjuara, përfshirë me bashkëshorten dhe djalin e tij", tha Menegon.

Ajo theksoi se “provat janë të dobëta, akuzat e tyre janë të dobëta, qoftë nga ana ligjore apo faktike, dhe këto e arsyetojnë lirimin e Thaçit nga të gjitha akuzat e ngritura”.

Në seancën e parë të shpalosjes së deklaratave përmbyllëse vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Mbrojtja dhe prokurorët do t'i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. REL

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat