Europa Postuar më 27 Qershor 2025, 10:06

Greqia tërheq të pasurit - 1,200 milionerë të huaj priten të zhvendosen në vitin 2025

Nga Kristi Ceta

Greqia tërheq të pasurit - 1,200 milionerë të huaj priten

Rreth 1,200 milionerë të tjerë të huaj priten të zhvendosen në Greqi në vitin 2025, sipas vlerësimeve të Henley & Partners, që këshillon klientë të pasur për çështjet e emigracionit. Sipas këtyre parashikimeve, individët me një pasuri totale prej 7.7 miliardë eurosh do të zgjedhin Greqinë këtë vit, duke e çuar rritjen totale të milionerëve në vend në 24% gjatë dekadës së fundit.

Sipas të dhënave, 142,000 milionerë në të gjithë botën pritet të emigrojnë vetëm këtë vit (më shumë se çdo vit tjetër), me firmën konsulente që njofton një valë historike të emigrimit të pasurisë, që po riformëson peizazhin financiar global.

Këto flukse milionerësh sjellin përfitime të shumta për vendet që i mirëpresin. Ata rrisin të ardhurat nga taksat, pasi individët me pasuri të madhe kontribuojnë ndjeshëm në buxhetin e shtetit. Rreth 15% e milionerëve që emigrojnë janë sipërmarrës, të cilët shpesh hapin biznese të reja në vendin pritës. Për më tepër, ata ndikojnë pozitivisht në tregun e aksioneve përmes investimeve. Fuqia e tyre blerëse krijon mijëra vende pune të mirëpaguara, duke gjallëruar ekonominë vendase.

Sipas Henley & Partners, vende si Greqia dhe Italia po përfitojnë pasi Britania e Madhe po bëhet më pak tërheqëse për të pasurit, duke larguar rreth 16,500 milionerë këtë vit. Megjithatë, edhe shtete si Franca (-800), Spanja (-500) dhe Gjermania (-400) do të shohin për herë të parë dalje të njerëzve të pasur nga territoret e tyre.

Vlen të përmendet se 9 nga 10 destinacionet kryesore që po tërheqin milionerët në vitin 2025, duke përfshirë Greqinë, operojnë programe emigracioni për investime, siç është Viza e Artë.

Gjithashtu, qeveria greke po planifikon një ligj për të përmirësuar atraktivitetin e regjimit tatimor për jorezidentët në Greqi, me qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj të mëtejshëm në vend.

Sipas raportimeve, një rregullore do t'i paraqitet parlamentit, që do t'u japë të drejtën për t'u përfshirë në të njëjtin regjim edhe bashkëshortëve që martohen pasi njëri prej tyre është bërë pjesë e programit. Po ashtu, do të hiqen taksat mbi donacionet dhe trashëgiminë.

Me këto rregulla të reja, vlerësohet se programi grek do të bëhet edhe më tërheqës, ndërsa shtete si Italia tashmë ofrojnë platforma të ngjashme me këto dispozita.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat