Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2025, 13:22

Central diellor 62 MW në Kolonjë - Projekti miratohet në qeveri, nuk përfiton nga masat mbështetëse

Nga Ola Mitre

Central diellor 62 MW në Kolonjë - Projekti miratohet në qeveri,

Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 62 MW në fshatin Taç Lartë të Bashkisë Kolonjë. Projekti do të zbatohet nga kompania “Fortis Energy and Construction” dhe nuk është objekt koncesioni apo përfitues i masave mbështetëse nga shteti. Kjo do të thotë se nuk e ka të garantuar blerjen e energjisë nga shteti, s’ka lehtësime që lidhen me marrjen e lejeve apo lidhjen me rrjetin elektrik.

Vendimi parashikon që impianti të ndërtohet dhe të vihet në punë brenda 36 muajve, ndërsa afati i operimit do të jetë 49 vjet nga hyrja në fuqi e vendimit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të mbikëqyrin projektin çdo tre muaj, për të verifikuar përputhshmërinë me planin dhe standardet teknike.

Shoqëria ndërtuese do të japë çdo vit 2% të energjisë së prodhuar falas për shtetin, ose ekuivalentin në vlerë monetare. Po ashtu, ajo ka detyrimin të raportojë ecurinë e punimeve, si dhe të respektojë lejet mjedisore.

Ky nuk është projekti i parë që ka marrë miratimin nga Këshilli i Ministrave këtë vit. Të dhënat publike flasin për të paktën 5 centrale të tjerë të mëdhënj që kanë marrë dakordësinë nga ekzekutivi, duke i lejuar të vazhdojnë me hapat e mëtejshëm për finalizimin e projekteve. Kryesisht centralet e miratuar parashikohet të zhvillohen në zonën e Fierit dhe Kolonjës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat