Analiza Postuar më 26 Qershor 2025, 12:04

Administrata “mban në këmbë” ekonominë/ PBB u rrit me 4.05% vitin e kaluar, por pesha e bujqësisë dhe industrisë bie më tej

Nga Xhorxhina Deda

Administrata “mban në këmbë” ekonominë/ PBB u

Ekonomia e ka nisur vitin me “këmbë të mbarë” tregojnë të dhënat më të fundit nga INSTAT. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma reale, në tremujorin e parë të vitit 2025 vlerësohet me rritje 3.39%, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024. Kontributin më të madh e ka dhënë administrata publike dhe tregtia, akomodimi e shërbimi ushqimor. Ndërkohë, bujqësia, industria dhe informacioni ndikuan negativisht.

Po ashtu, ekonomia ka vijuar trendin pozitiv edhe në vitin 2024 duke shënuar një rritje reale prej 4.05% sipas të dhënave gjysmëfinale të publikuara nga INSTAT. Krahasuar me vitin 2023 kur rritja ekonomike ishte 4.02% ky është një konfirmim i stabilitetit të zgjerimit ekonomik ndonëse me një ritëm të moderuar.

Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korrente për vitin 2024 është vlerësuar në rreth 2.5 trilionë lekë ose 2.5 miliardë euro, ndërsa për vitin 2023 në 2.36 trilionë lekë, duke reflektuar zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në terma nominalë.

Struktura e ekonomisë shqiptare vijon të dominohet nga sektori i shërbimeve që për vitin 2024 zë 48.69% të PBB-së dhe ka shënuar një rritje reale prej 6.51 për qind duke qenë nxitësi kryesor i rritjes së përgjithshme pasuar nga ndërtimi që përbën 11.92% të ekonomisë dhe është rritur me 4.52%.

Në kah të kundërt industria që zë 10.48% të PBB-së ka pësuar një tkurrje reale prej 4.55%, ndërsa bujqësia pyjet dhe peshkimi që përfaqësojnë 15.45% të ekonomisë kanë shënuar rënie me 2% në terma realë. Edhe pesha e këtyre dy sektorëve është tukrrur ndjeshëm në strukturën e PBB-së për vitn 2024.

Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2024 e kanë dhënë administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 1.20 pikë përqindje të ndjekura nga tregtia transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 1.02 pikë. Ndërtimi ka kontribuar me 0.53 pikë, aktivitetet profesionale dhe mbështetëse me 0.52 pikë, si dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.20 pikë përqindje. Ndërkohë që industria dhe bujqësia kanë ndikuar negativisht, respektivisht me 0.52 dhe 0.32 pikë përqindje.

Taksa neto mbi produktet kanë dhënë një efekt pozitiv prej 1.26 pikë përqindje në rritjen reale të ekonomisë. Nga ana tjetër, sipas metodës së shpenzimeve konsumi final përbën 81.93% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe është rritur me 4.02% në terma realë. Konsumi i popullatës zë 84.11% të konsumit final ndërsa ai i administratës publike 15.16% dhe ai i institucioneve jofitimprurëse në shërbim të familjeve një peshë më të vogël prej 0.73%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat