Shqipëria Postuar më 31 Korrik 2026, 15:55

Karakaçi inspekton investimin në Bogë: Rrjeti po përballet me ngarkesë të lartë nga i nxehti

Nga Scan TV

Karakaçi inspekton investimin në Bogë: Rrjeti po përballet

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ndodhet në Bogë, ku po inspekton investimin për ndërtimin e linjës 35 kV dhe nënstacionit të ri elektrik. Ky projekt pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike për banorët, bizneset dhe sektorin e turizmit në të gjithë zonën e Alpeve Shqiptare, duke rritur sigurinë dhe cilësinë e shërbimit.

Gjatë inspektimit, drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), Bledi Dalipaj, foli për sfidat me të cilat është përballur sistemi elektroenergjetik gjatë javëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta dhe rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike.

Sipas tij, vala e të nxehtit ka sjellë ngarkesa të pazakonta në rrjet, duke bërë që konsumi të arrijë nivele rekord.

"Është e vërtetë që gjatë këtyre ditëve po përballemi me temperatura shumë të larta. Edhe gjatë muajit qershor patëm temperatura të pazakonta, të cilat sollën një rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike. Në fund të qershorit arritëm një rekord prej 25 milionë kWh, ndërsa ditët e fundit konsumi ka prekur rreth 26 milionë kWh. Për krahasim, vjet kulmi i konsumit u regjistrua në muajin gusht, me rreth 26.5 milionë kWh", u shpreh Dalipaj.

Ai bëri të ditur se temperaturat ekstreme kanë ndikuar edhe në funksionimin e pajisjeve të rrjetit elektrik.

"Gjatë ditëve të fundit të qershorit dhe përgjatë muajit korrik, ekipet tona në terren kanë raportuar se temperaturat në kabinat elektrike kanë arritur deri në 80 gradë Celsius. Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme, por jo çdo situatë mund të parashikohet. Operojmë mbi një rrjet që funksionon prej shumë vitesh dhe jemi të detyruar jo vetëm ta mirëmbajmë, por edhe ta forcojmë përmes investimeve dhe masave organizative", tha ai.

Drejtori i OSSH-së theksoi se ekipet e institucionit janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo rast, duke kërkuar njëkohësisht mirëkuptimin e qytetarëve për shkak të kushteve të pazakonta atmosferike.

"Besoj se do ta përballojmë edhe këtë periudhë. Ekipet tona ndodhen në terren 24 orë në ditë dhe janë të gatshme të ndërhyjnë menjëherë sa herë që është e nevojshme. Megjithatë, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, pasi po përballemi me temperatura që nuk i kemi përjetuar më parë", përfundoi Dalipaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat