Shqipëria Posted on 2026-07-31 10:47:00

Kompanitë, tarifë e re për shënjimin e naftës - Vendimi/ Do paguajnë 6.5 euro/1 mijë litra ndaj kompanisë “ALBTrace CO”

From Elisabeta Dosku

Kompanitë, tarifë e re për shënjimin e naftës -

Kompanitë që tregojnë naftë dhe benzin do të jenë të detyruara të paguajnë një tarifë shënjimi prej 6.5 euro për 1 mijë litra kundrejt shoqërisë “ALBTrace CO”, si tarifë kombëtare shënjimi.

Qeveria ka vendosur rregulla të reja për subjektet me qëllim verifikimin e shlyerjes së detyrimeve fiskale përkatëse,  monitorimin, kontrollin dhe gjurmueshmërinë e karburanteve përgjatë zinxhirit të furnizimit, ndërsa të dhënat janë pronë e shtetit dhe autoritetit doganor me qëllim garantimin e cilësisë, integritetit dhe ligjshmërisë së tyre.

Referuar projektvendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, subjektet që do ti nënshtrohen kësaj tarife, janë të gjitha subjektet, që tregtojnë, importojnë, shpërndajnë, transportojnë, magazinojnë, prodhojnë, rafinojnë ose kryejnë çdo aktivitet tjetër tregtar me produktet e shënjimit, që janë të detyruara të paguajnë detyrimet fiskale për këto produkte dhe të kërkojnë kryerjen e shërbimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi dhe këtij vendimi.

Subjektet do duhet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi, i cili është një dokument standard, nëpërmjet të cilit deklarohen të dhënat teknike të autobotit dhe sasitë e karburantit sipas dhomave (kompartimenteve) të autocisternës, mbi bazën e dokumentacionit provues ose të dhënave të matjes gjatë procesit të ngarkimit.  Subjekti i detyruar mban përgjegjësi për saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave të deklaruara në këtë formular, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pas procesi të shënjimit, subjektet pajisen me “Certifikatën e shënjimit të karburantit”, dokumenti zyrtar, teknik dhe rregullator, i lëshuar nga shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., i cili vërteton kryerjen e procesit të shënjimit dhe përmbajtjen e tij, në përputhje me kërkesat teknike dhe procedurale të përcaktuara. Certifikata shërben si provë dokumentare për: kryerjen e procesit të shënjimit në vendndodhjen dhe kohën e përcaktuar; identifikimin e llojit të karburantit, sasisë së shënjuar dhe subjektit përkatës; gjurmueshmërinë e karburantit përgjatë zinxhirit të furnizimit përmes Sistemit të Integritetit të Karburanteve ALBTrace.

Sipas projektvendimit, do të ndalohet tregtimin, importimin, transportimin apo magazinimin e karburanteve që nuk përmbajnë shënjuesin zyrtar, si edhe çdo ndërhyrje në pajisjet apo teknologjinë e përdorur për procesin e shënjimit dhe monitorimit. 

Administrata Doganore do të ketë rolin e mbikëqyrjes dhe kontrollit, duke përdorur laboratorë të lëvizshëm, analiza në terren dhe sisteme monitorimi për të verifikuar përputhshmërinë e karburanteve me kërkesat ligjore.

Të gjitha subjektet e detyruara të produkteve të shënjimit, tregtarët dhe/ose pronarët e pikave të shitjes së karburanteve detyrohen të paraqesin deklaratën e inventarit të produkteve të naftës në gjendje, të identifikuar sipas degës, rafinerisë ose depos përkatëse, brenda një afati prej 30 ditësh nga data e fillimit të zbatimit të regjimit të shënjimit dhe monitorimit, sipas këtij vendimi.

Regjimi i shënjimit dhe monitorimit të karburanteve fillon të zbatohet pas përfundimit të periudhës së implementimit të projektit të shënjimit të karburanteve, e cila zgjat deri në 6  muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Live TV

Latest news
All news

Most visited