Shqipëria Postuar më 31 Korrik 2026, 10:45

Trajtimi i varfërisë energjetike/ Miratohet plani 2026–2030, fokus te identifikimi i familjeve dhe mbështetja afatgjatë

Nga Ola Mitre

Trajtimi i varfërisë energjetike/ Miratohet plani 2026–2030,

Për herë të parë, qeveria ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për adresimin e varfërisë energjetike dhe mbrojtjen e klientëve në nevojë të energjisë elektrike për periudhën 2026–2030. Ky dokument që synon të krijojë një sistem të unifikuar për identifikimin dhe mbështetjen e familjeve që nuk arrijnë të përballojnë nevojat bazë për energji.

Plani parashikon krijimin e një metodologjie kombëtare për identifikimin e varfërisë energjetike, ngritjen e një sistemi monitorimi dhe një kuadri operacional për mbrojtjen e klientëve në nevojë. Sipas dokumentit, masat nuk do të kufizohen vetëm në kompensimin e faturave të energjisë, por do të shoqërohen me ndërhyrje afatgjata që synojnë reduktimin e vetë shkaqeve të varfërisë energjetike.

Ndër masat kryesore të planit janë krijimi i procedurave për identifikimin dhe regjistrimin e familjeve të prekura, financimi nga buxheti i shtetit i skemave të mbështetjes për klientët në nevojë, garantimi i mbrojtjes nga ndërprerja e furnizimit me energji elektrike, si edhe sigurimi i aksesit në shërbimin universal sipas kushteve të përcaktuara nga legjislacioni.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme lidhet me investimet në eficiencën e energjisë. Plani parashikon masa për përmirësimin e performancës energjetike të banesave dhe rinovimin e ndërtesave, me synimin që familjet të ulin konsumin dhe kostot e energjisë në afatgjatë, duke mos u mbështetur vetëm te subvencionet financiare.

Varfëria energjitike kuptohet gjerësisht si paaftësia e familjeve për të mbajtur nivele të përshtatshme të shërbimeve të energjisë me një kosto të përballueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat