Europa Postuar më 30 Qershor 2025, 14:35

Gjermania do të rrisë pagën minimale - Vendimi synon të luftojë varfërinë e të përmirësojë kushtet e jetesës

Nga Kristi Ceta

Gjermania do të rrisë pagën minimale - Vendimi synon të

Gjermania do të rrisë pagën minimale në vitet e ardhshme, duke e ndarë procesin në dy faza. Ky vendim synon të luftojë varfërinë dhe të përmirësojë kushtet e jetesës, megjithëse punëdhënësit paralajmërojnë për pasojat ekonomike.

Paga minimale e Gjermanisë do të rritet nga 12.82 € në orë në 14.60 € deri në vitin 2027, në dy faza. Në fillim të 2026, rroga bazë ligjore që u paguhet punonjësve duhet të rritet së pari në 13.90 €, përpara se të rritet me 0.70 € të tjera një vit më vonë.

Komisioni i Pagës Minimale, i përbërë nga përfaqësues të lartë të sindikatave dhe punëdhënësve, voton për rregullimet çdo dy vjet, duke marrë parasysh rritjen e pagave. Sipas kreut të komisionit, rritjet e propozuara të këtij viti u mbështetën unanimisht.

Në fushatën që i parapriu zgjedhjeve federale të shkurtit, Social Demokratët e Gjermanisë (SPD), tani një partner i vogël në qeverinë e re të koalicionit, kishin premtuar të rrisnin pagën minimale në 15 euro.

“15 euro është minimumi për një jetë me dinjitet. Kushdo që punon me kohë të plotë nuk duhet të jetë i detyruar të plotësojë të ardhurat e tij ose të jetojë në varfëri gjatë pleqërisë,” thanë përfaqësuesit e SPD.

Një pagë minimale ligjore konsiderohet një mjet i rëndësishëm për të luftuar varfërinë. Sipas shifrave zyrtare, 15.5% e popullsisë, ose rreth 13.1 milionë gjermanë, ishin në rrezik varfërie vitin e kaluar.

Bashkimi Evropian përcakton se kushdo që fiton më pak se 60% të të ardhurave mesatare të një popullsie është në rrezik varfërie. Në Gjermani, kjo do të vlente për familjet që fitonin 1,378 euro ose më pak në muaj pas taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Në anën tjetër, punëdhënësit kishin paralajmëruar për pasojat serioze ekonomike të një rritjeje të konsiderueshme të pagës minimale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat