Shqipëria Postuar më 30 Qershor 2025, 13:02

Sa peshë zë ari në rezervën valutore të Shqipërisë? - Përbën 4.66% të totalit. Vlera e tij arrin në 316 milionë euro në maj

Nga Ledina Elezi

Sa peshë zë ari në rezervën valutore të

Si rezultat i rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, vlera e arit monetar në Shqipëri është shtuar gjithashtu. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ari monetar arriti në 316 milionë euro në fund të muajit maj, duke u rritur kështu me 1% në krahasim me prillin dhe 34.4% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Në total, në fund të muajit maj, mjetet e rezervës ku përfshihen ari monetar, SDR (të drejtat e veçanta të tërheqjes) dhe titujt e borxhit kapin një shifër prej 6.78 miliardë eurosh. Pra, rezerva valutore është rritur me 23% llogaritur me majin e vitit të kaluar.

Ari përbën 4.66% të rezervës valutore në total, që është niveli më i lartë i arritur prej vitesh. Nëse bëjmë një krahasim të majit që prej vitit 2020, ku ari monetar zinte vetëm 3.9% të totalit të rezervës, vërejmë se pesha që zë ari monetar në rezervën valutore ka pësuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit, duke arritur në rekorde historike në 2025.

Në fund të dhjetorit 2024, stoku i rezervës valutore bruto prej 6.26 miliardë eurosh përfshin edhe arin monetar prej 108.59 mijë onz ose 3.38 ton.

Referuar kursit zyrtar të këmbmit, 1 onz ar është këmbyer me 289 mijë lekë gjatë muajit qershor.

Një nga rolet kryesore të arit për bankat qendrore është diversifikimi i rezervave të tyre. Banka është përgjegjëse për monedhën kombëtare, por kjo e fundit mund të jenë subjekt i luhatjeve në vlerë në varësi të forcës ose dobësisë së perceptuar të ekonomisë.

Në kohë nevoje, bankat mund të detyrohen të shtypin më shumë para, pasi normat e interesit mund të jenë në nivele të ulëta. Kjo rritje e ofertës monetare mund të jetë e nevojshme për të shmangur trazirat ekonomike, por me koston e zhvlerësimit të monedhës. Ari, në të kundërt, është një mall fizik i kufizuar, furnizimi i të cilit nuk mund të shtohet lehtësisht. Si i tillë, është një mbrojtje natyrore kundër inflacionit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat