Europa Postuar më 17 Nëntor 2025, 09:43

Britania “braktis” planet për rritjen e taksave - Përmirësimi i parashikimeve fiskale i jep “frymëmarrje” qeverisë

Nga Kristi Ceta

Britania “braktis” planet për rritjen e taksave -

Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, nuk ka në plan të rrisë taksat mbi të ardhurat në buxhetin e këtij muaji, falë përmirësimit të parashikimeve fiskale, tha një burim i brendshëm.

Reeves ka nevojë të sigurojë dhjetëra miliarda paund për të qëndruar brenda objektivave fiskalë, ndaj komenti i saj i fundit se “të gjithë do të duhet të kontribuojmë” u pa si sinjal se qeveria mund të thyente premtimin kryesor elektoral dhe të rriste taksat.

Por raundi më i fundit i parashikimeve nga Zyra e Përgjegjësisë Buxhetore tregoi një përmirësim të perspektivës fiskale, thanë dy burime të njohura me çështjen, prej të cilëve njëri konfirmoi se qeveria nuk planifikon rritje të taksës mbi të ardhurat pas këtyre shifrave të reja.

Një zëdhënës i Thesarit refuzoi të komentonte mbi politikën tatimore.
“Kancelarja do të paraqesë një buxhet që merr vendimet e drejta për të ndërtuar themele të forta dhe për të siguruar të ardhmen e Britanisë,” tha zëdhënësi.

Sipas tij, Reeves është zotuar të forcojë qëndrueshmërinë e financave publike dhe t’i japë vetes hapësirë të mjaftueshme fiskale për t’i bërë ballë turbulencave në ekonominë globale.

Së fundi, Instituti Kombëtar i Kërkimeve Ekonomike dhe Shoqërore paralajmëroi se ministrja e financave duhej të ndërmerrte rritje të mëdha taksash për të shmangur humbjen e besimit të tregjeve, situatë që dikur i kushtoi postin ish-kryeministres Liz Truss.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat