Bota Postuar më 19 Gusht 2025, 10:33

“SHBA, pjesë e garancive të sigurisë” - Trump siguron Zelenskyy për angazhimin amerikan në Ukrainë

Nga Kristi Ceta

“SHBA, pjesë e garancive të sigurisë” - Trump siguron

Ndërsa bota mbante frymën për të ndjekur ritakimin Donald Trump–Volodymyr Zelenskyy në Zyrën Ovale, me liderët e BE-së që ndiqnin ngjarjen nga prapa dyerve, dy presidentët ndryshuan rrënjësisht skenarin e samitit të shkuar dramatik. Ata u fokusuan në rëndësinë historike dhe vendosmërinë e tyre për të rregulluar marrëdhëniet.

“Po bëhen përparime të konsiderueshme,” deklaroi Presidenti amerikan Donald Trump duke mirëpritur homologun e tij ukrainas në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar për herë të parë se SHBA mund të ndërhyjë me garanci sigurie për Ukrainën.

“Evropa është linja e parë e mbrojtjes,” tha Trump, “por ne do të ndihmojmë, do të jemi të përfshirë,” duke mos përjashtuar idenë e dërgimit të paqeruajtësve amerikanë në Ukrainë. Pas takimit dypalësh, ata u bashkuan me shtatë liderët evropianë të ftuar në Uashington së bashku me Zelenskyy-n, për të treguar mbështetjen e përbashkët të Evropës për Ukrainën. Trump tha se “vendet evropiane do të mbajnë barrën kryesore. Ne do t’i ndihmojmë dhe do ta bëjmë gjithçka shumë të sigurt.” Ai shtoi se një nga pikat që do të diskutohej me liderët në Uashington ishte “ndarja e detyrave”.

Zelenskyy komentoi se garancitë e sigurisë ishin pjesë e një “bisede shumë të mirë”. “Folëm për tema shumë të ndjeshme. E para janë garancitë e sigurisë … Siguria në Ukrainë varet nga Shtetet e Bashkuara, si dhe nga liderët evropianë,” theksoi Presidenti ukrainas. Trump nënvizoi se Presidenti rus Vladimir Putin ishte dakord që Kremlini të pranonte garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Ndërkohë, Moska reagoi me një deklaratë ku thuhej se nuk do të pranonte skenarë që përfshijnë dislokimin e trupave nga anëtare të NATO-s në Ukrainë. “Kjo mund të çojë në një përshkallëzim të pakontrollueshëm të konfliktit me pasoja të paparashikueshme,” deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse.

Presidenti amerikan përsëriti se hapi i ardhshëm do të ishte një bisede me Putin pasi të përfundonin diskutimet me Zelenskyy-n dhe liderët evropianë. Udhëheqësi ukrainas shtoi se ishte gati për një takim trilateral me presidentin rus dhe Trump. Në të kaluarën, Zelenskyy ka kërkuar me vazhdimësi një takim të drejtpërdrejtë me Putin, por Moska e ka refuzuar çdo herë, edhe kur ai shkoi në Turqi e bëri thirrje për një bisedë ballë për ballë me liderin rus.

Trump theksoi se shpreson që një takim trilateral të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe se atëherë do të mund të diskutohej edhe çështja e territoreve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat