Analiza Postuar më 18 Gusht 2025, 12:47

Kosova e Greqia shtyjnë eksportet përpara/ Defiçiti tregtar ulet me 5.8% në 7 muajt e parë të vitit

Nga Eldiona Serani

Kosova e Greqia shtyjnë eksportet përpara/ Defiçiti tregtar

Përgjatë muajit korrik të këtij viti, eksportet shqiptare kanë shënuar sërish një ecuri pozitive, duke arritur në vlerën e 35 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.7% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar dhe një ulje prej 0.5% krahasuar me qershorin e po të njëjtit vit. Rritja erdhi si rezultat i shtimit të eksporteve, të mbështetura kryesisht nga grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, të cilat kontribuan pozitivisht me 5.7 pikë përqindje në rritje, si dhe nga eksportet e ushqimeve. Nga ana tjetër, negativisht kanë ndikuar grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Produktet kimike dhe plastike”, të cilat kanë shënuar ulje përkatësisht me 8.0 pikë përqindje dhe 1.3 pikë përqindje.

Në shtatë muajt e parë të vitit, eksportet e mallrave kanë arritur në vlerën e 239 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 2.6%. Ndërsa për sa i përket importeve, gjatë muajit korrik ato kanë arritur në 83 miliardë lekë, duke u ulur me 2.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9.1% krahasuar me qershorin e vitit 2025. Kjo rënie e importeve është ndikuar kryesisht nga grupet “Materiale ndërtimi dhe metale”, me një kontribut negativ prej -2.0 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, me -1.7 pikë përqindje.

Deficiti tregtar për këto shtatë muaj ka arritur në totalin e 76 miliardë lekëve, duke shënuar një ulje prej 5.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Megjithatë, deficiti mbetet i lartë në vlerë, çka tregon se Shqipëria vijon të jetë një vend që importon shumë më tepër sesa eksporton.

Sa i përket ndarjes sipas vendeve, Kosova vijon të mbetet vendi me rritjen më të fortë të eksporteve, me një rritje prej 72.5%, pasuar nga Greqia dhe Gjermania, me përkatësisht 14.8% dhe 0.6%. Ndërkohë, janë tkurrur eksportet me Italinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë. Për sa i përket importeve, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe janë Italia, Gjermania dhe Kosova, ndërsa vendet me të cilat importet kanë shënuar rritjen më të madhe janë Kina, Greqia dhe Turqia.