Bota Postuar më 13 Shtator 2025, 10:30

“Roja lindore”, nisma e re e NATO-s - Rutte thekson rëndësinë e mbrojtjes së krahut lindor të aleancës

Nga Kristi Ceta

“Roja lindore”, nisma e re e NATO-s - Rutte thekson

Pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë, NATO ka nisur iniciativën “Roja Lindore” për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor. Aleatët kryesorë janë angazhuar në këtë mision, ndërsa Polonia e ka cilësuar incidentin si një provokim të qëllimshëm nga Kremlini.

Pas shkeljes së hapësirës ajrore polake nga të paktën 19 dronë rusë më herët këtë javë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar nisjen e programit "Roja Lindore", që synon të pengojë ndërhyrje të mëtejshme ruse dhe të tregojë solidaritet ndaj Polonisë.

"Kemi parë dronë që shkelin hapësirën tonë ajrore. E qëllimshme apo jo, kjo është e papranueshme. Aleatët kanë shprehur solidaritet të plotë me Poloninë. Është thelbësore të kundërshtojmë agresionin dhe të mbrojmë çdo anëtar të Aleancës," tha kreu i NATO-s. “Mbrojtja e krahut lindor është detyra jonë kryesore. Për këtë arsye po nisim iniciativën 'Roja Lindore', për të forcuar më tej këtë zonë delikate," shtoi ai.

Zyrtarët polakë janë shprehur se shkelja e hapësirës ajrore nga dronët ishte një përpjekje e Rusisë për të testuar aftësinë e Polonisë dhe të NATO-s për të reaguar. Më herët, Polonia hodhi poshtë sugjerimin e presidentit amerikan Donald Trump se shkeljet mund të kenë qenë një gabim.

Ndërkohë, Kremlini deklaroi se forcat ruse po kryenin sulme ndaj Ukrainës në kohën kur ndodhën shkeljet me dronë dhe nuk kishte për qëllim të godiste ndonjë objektiv në Poloni.

Misioni “Roja Lindore” do të përfshijë një gamë të gjerë mjetesh dhe kapacitetesh, duke integruar bazat ajrore dhe tokësore. Disa aleatë si Danimarka, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, janë angazhuar në këtë program, ndërsa të tjerë pritet të bashkohen, shtoi Rutte.

Ky zhvillim përforcon rolin e Polonisë si pikë kyçe në mbrojtjen e krahut lindor të Aleancës. NATO synon jo vetëm të rrisë praninë ushtarake, por edhe të japë një sinjal të fortë parandalues ndaj çdo veprimi të mëtejshëm provokues nga Rusia.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat