Bota Postuar më 13 Shtator 2025, 10:21

G7 diskuton masa të reja ndaj Rusisë - SHBA u kërkon aleatëve të vendosin tarifa ndaj blerësve të naftës ruse

Nga Kristi Ceta

G7 diskuton masa të reja ndaj Rusisë - SHBA u kërkon

Vendet e G7-ës po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve dhe tarifave të reja ndaj Rusisë dhe shteteve që mbështesin luftën në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, SHBA u bën thirrje aleatëve të ndëshkojnë blerësit e naftës ruse, sidomos Kinën dhe Indinë.

Ministrat e Financave të Grupit të Shtatë ekonomovie kryesore(G7) u mblodhën për të diskutuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, si dhe tarifa të mundshme ndaj vendeve që konsiderohen si mbështetëse të luftës në Ukrainë. Kjo nismë vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje aleatëve të vendosin tarifa ndaj blerësve të naftës ruse, për të rritur presionin ekonomik ndaj Kremlinit.

Takimi u mbajt në kuadër të presidencës së radhës së G7 që aktualisht drejtohet nga Kanadaja. Në një deklaratë zyrtare pas takimit, u bë e ditur se ministrat ranë dakord të përshpejtojnë diskutimet për përdorimin e aseteve ruse të ngrira për të financuar mbrojtjen e Ukrainës. Deklarata shtoi se ministrat diskutuan një “gamë të gjerë masash të mundshme ekonomike për të rritur presionin ndaj Rusisë, përfshirë sanksione shtesë dhe masa tregtare.”

Zyrtarët amerikanë u kërkuan vendeve të G7-s që të bashkohen me SHBA-në në vendosjen e tarifave ndaj shteteve që vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia. “Vetëm me një përpjekje të bashkuar që ndërpret të ardhurat e makinerisë së luftës në burim, do të mund të ushtrojmë mjaftueshëm presion ekonomik për të ndalur vrasjet pa kuptim,” u shprehën ata.

Më herët gjatë ditës, një zëdhënës i Departamentit të Thesarit të SHBA u bëri thirrje vendeve të G7 dhe Bashkimit Evropian të vendosin “tarifa të ashpra” sidomos ndaj mallrave nga Kina dhe India, që blejnë naftën ruse me çmime të ulëta.

Presidenti Donald Trump ka vendosur një taksë shtesë prej 25% ndaj importeve nga India, për të ndëshkuar Nju Delhin. Me këtë vendim, tarifat ndaj mallrave indiane arrijnë në 50%, duke tensionuar bisedimet tregtare mes dy vendeve. Megjithatë, Trump ka shmangur deri tani vendosjen e masave të reja ndaj Kinës, për shkak të një armëpushimi të brishtë tregtar mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat