Shqipëria Postuar më 15 Gusht 2026, 12:52

Karboni, Shqipëria me avantazh ndaj rajonit/ Raporti: Kosto zero për eksportet e energjisë elektrike drejt BE-së

Nga Ola Mitre

Karboni, Shqipëria me avantazh ndaj rajonit/ Raporti: Kosto zero për

Shqipëria rezulton në një pozicion të favorshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit sa i takon ndikimit të Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufij, apo CBAM, mbi eksportet e energjisë elektrike drejt Bashkimit Evropian. Raporti më i fundit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregon se vendi ynë ka një faktor standard emetimesh zero, duke e çuar në 0 euro/mWh koston e lidhur me CBAM për energjinë e eksportuar drejt BE-së.

Situata është ndjeshëm e ndryshme për vendet e tjera të rajonit. Me çmimin e certifikatave CBAM në 75.28 euro për ton CO2 gjatë tremujorit të dytë, kostoja e përllogaritur arrin në rreth 86.4 euro/mWh për Bosnje-Hercegovinën, 78.4 euro për Serbinë, 74.1 euro për Kosovën, 73.7 euro për Malin e Zi dhe 66.8 euro/mWh për Maqedoninë e Veriut.

Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufij hyri në periudhën përfundimtare të zbatimit më 1 janar 2026 dhe vendos një kosto karboni për energjinë që importohet në Bashkimin Evropian, në varësi të intensitetit të emetimeve. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku një pjesë e konsiderueshme e prodhimit vijon të mbështetet te qymyri, mekanizmi mund të ndikojë ndjeshëm në konkurrueshmërinë e eksporteve. Për vendin tonw, prodhimi i energjisë i mbështetur kryesisht në burime të rinovueshme e vendos aktualisht vendin në një pozicion dukshëm më të favorshëm për tregtinë me tregun evropian. Raporti megjithatë thekson se zhvillimet në treg nuk mund t’i atribuohen vetëm CBAM-it, pasi ndikojnë edhe hidrologjia, çmimet dhe kushtet e tregut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat