Shqipëria Postuar më 15 Gusht 2026, 12:57

Në luftë me vatrat e zjarrit në Tiranë, Dibër e Krujë/ Ministria e Mbrojtjes: Në terren 2 avionë dhe 2 helikopterë

Nga Scan TV

Në luftë me vatrat e zjarrit në Tiranë, Dibër e

Nga 35 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 8 janë ende aktive, njofton Ministria e Mbrojtjes. Për menaxhimin e këtyre vatrave janë angazhuar gjithsej 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të tyre kanë qenë 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Situata më e vështirë është në Gurë-Lurë të Dibrës ku hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Sot operacioni vijon me forcat në terren me mbështetjen edhe të 2 avionëve Air Tractor dhe 1 autobot uji.

Në Krujë, vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Një pjesë e madhe e forcave janë përqendruar në zonën e Dajtit, për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Priskë, Farkë dhe zonat përreth po vijon gjithashtu puna për vendosjen e zjarrit nën kontroll.

Edhe në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, po vijon puna me 20 efektivë të FA-së, po ashtu edhe në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër, për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.

Banorët e Krujës duket se e kanë harruar zjarrin e pak ditëve më parë që kërcënoi banesat, vatrat e të cilit vijojnë ende të djegin pjesë të qytetit.

Në lagjen Kasme, banorët kanë djegur mbeturina në qiell të hapur. Policia dhe zjarrfikësja kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat