Shqipëria Postuar më 15 Gusht 2026, 12:54

Parashikimi: Deri në 2050 dëmi nga zjarret 7% PBB/ Plani Kombëtar: Të ripyllëzohen sipërfaqet pyjore të zhveshura

Nga Scan TV

Parashikimi: Deri në 2050 dëmi nga zjarret 7% PBB/ Plani

Zjarret në pyje, të nxitura nga temperaturat e larta ekstreme po kthehen në një nga rreziqet klimatike me pasojat më të mëdha për Shqipërinë. Sipas shifrave të nxjerra nga Plani Kombëtar i Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, zjarret, së bashku me përmbytjet, thatësirat dhe rrëshqitjet e dherave, përbëjnë mbi 90% të dëmeve të regjistruara nga fatkeqësitë klimatike në vend. Gjatë dy dekadave të fundit, fatkeqësitë natyrore dhe klimatike kanë prekur 95% të bashkive shqiptare.

Parashikimet klimatike tregojnë se deri në vitin 2050, temperatura mesatare mund të rritet me 0.9–2 gradë Celsius. Për pasojë zjarret pritet të dëmtojnë biodiversitetin, degradojnë dhe ekspozojnë tokën ndaj erozionit, cenojnë burimet ujore dhe kullotat. Dëmet transmetohen edhe në bujqësi, blegtori dhe turizëm, ndërsa komunitetet rurale humbasin burime të ardhurash nga druri, bimët mjekësore dhe produktet e tjera pyjore.

Plani vlerëson se dëmet ekonomike nga ndryshimet klimatike në tërësi mund të arrijnë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2050. Për të kufizuar rrezikun, Plani Kombëtar ndër të tjera synon krijimin e katër fidanishteve dhe ripyllëzimin e sipërfaqeve pyjore të zhveshura, të dëmtuara nga erozioni, zjarret dhe prerjet.

Masat e tjera përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, restaurimin e ekosistemeve të dëmtuara, kontrollin e erozionit dhe krijimin e skemave të pagesës për shërbimet e ekosistemit. Në total, Plani Kombëtar përmban 13 masa prioritare për sektorin e pylltarisë. Zbatimi i tyre do të shtrihet gjatë periudhës 2026–2036, ndërsa disa ndërhyrje afatgjata parashikohet të vijojnë deri në vitin 2042. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat