Bota Postuar më 15 Shtator 2025, 09:57

Demokratët amerikanë kërkojnë masa ndaj Kinës - Synojnë kufizimin e mbiprodhimit kinez për të mbrojtur industrinë vendase

Nga Kristi Ceta

Demokratët amerikanë kërkojnë masa ndaj Kinës -

Demokratët në SHBA kanë bërë thirrje që administrata e Trump të ushtrojë presion ndaj Kinës për të kufizuar “mbiprodhimin strukturor”. Një lëvizje e tillë do të ndryshonte plotësisht modelin ekonomik të Pekinit.

Anëtarët e një komiteti të Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën thanë se çdo marrëveshje dypalëshe tregtare duhet të përfshijë kërkesa detyruese, që Kina të ulë kapacitetin industrial të tepërt.

Kina prodhon shumë më tepër mallra sesa konsumon brenda vendit, gjë që ka çuar në eksporte masive dhe luftë çmimesh në tregun e brendshëm. Ndërsa zyrtarët kinezë kanë hedhur poshtë pretendimet amerikane për kapacitet të tepërt, ata kanë filluar një fushatë kundër deflacionit dhe luftës së çmimeve në disa sektorë.

Përfaqësuesit amerikanë kanë filluar diskutimet në Madrid me një delegacion kinez për të shqyrtuar çështjen.

Letra nga komiteti i Kongresit përshkruan ndikimet “historike dhe shkatërruese” që prodhimi strukturor i tepruar ka pasur mbi industrinë amerikane, si dhe për stabilitetin e tregjeve ndërkombëtare.

Sektore si çeliku dhe panelet diellore u përmendën si shembuj ku zgjerimi i madh i prodhimit ndihmoi eksportet masive që ulën çmimet dhe goditën prodhuesit në SHBA dhe vendet e tjera.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë kanë arritur një armëpushim mbi tarifat treshifrore, që u zgjat për 90 ditë muajin e kaluar. Megjithatë, palët janë ende në kërkim të një marrëveshjeje tregtare të qëndrueshme, që do të rikthente stabilitetin ndërkombëtar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat