Analiza Postuar më 3 Mars 2026, 18:12

Çfarë nënkupton vlerësimi i Komunitetit të Energjisë për Shqipërinë? Ngrohja dhe ftohja: pjesë e planifikimit kombëtar

Nga Fatos Çoçoli

Çfarë nënkupton vlerësimi i Komunitetit të

Dje, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka vlerësuar dorëzimin nga Shqipëria të Dokumentit të Angazhimit për Dekarbonizimin e Sektorit të Ngrohjes dhe Ftohjes, si një sinjal të qartë politik dhe teknik për përshpejtimin e tranzicionit energjetik të vendit.

Vlerësimi nuk është formal. Ai lidhet me faktin se për herë të parë Shqipëria e trajton këtë sektor në mënyrë të strukturuar dhe afatgjatë. Po pse ka rëndësi ky dokument për Shqipërinë?

Ngrohja dhe ftohja nuk janë çështje dytësore. Ato përbëjnë rreth një të tretën e konsumit final të energjisë në vend dhe në vlerë tregu i kalojnë 600 milionë eurot në vit. Aktualisht, vetëm 22–23% e kësaj kërkese mbulohet nga burime të rinovueshme. Kjo do të thotë se një pjesë shumë e madhe e energjisë që përdorim çdo ditë në shtëpi, zyra dhe ndërtesa publike, në nivele dhjetra milionë euro, ka ende potencial të madh për ekonomizim dhe modernizim.

Duke u fokusuar tek ky sektor, Shqipëria nuk po përmbush vetëm një detyrim ndaj Komunitetit të Energjisë, por po realizon tre drejtime kyçe të “Marrëveshjes së Gjelbër(në anglisht Green Deal”) të Bashkimit Evropian, për uljen e emetimeve të dyoksidit të karbonit, për kursimin e energjisë dhe për rritjen e eficiencës së saj në jetën e përditshme.

Tre drejtimet kryesore të reformës në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes

Nga analiza e raportit, del qartë se dokumenti nuk është një tekst vetëm me deklarata, por vendos themelet për reforma konkrete.

Së pari, ai ndërton një planifikim të strukturuar. Për herë të parë krijohet një hartë e detajuar e kërkesës për ngrohje dhe ftohje në nivel bashkie, duke analizuar densitetin e energjisë dhe potencialin për zhvillim. Deri më sot, sektori i ngrohjes në Shqipëri ka funksionuar kryesisht në mënyrë individuale dhe të fragmentuar. Çdo familje ka zgjedhur zgjidhjen e vet, pa pasur një qasje të koordinuar.

Me këtë dokument, ngrohja dhe ftohja trajtohen si sektor më vete. Vendimmarrja mbështetet në të dhëna konkrete dhe jo në vlerësime të përgjithshme. Bashkitë mund të identifikojnë zonat me përqendrim të lartë kërkese dhe të planifikojnë ndërhyrje specifike. Për më tepër, raporti përfshin skenarë zhvillimi deri në vitin 2050, duke analizuar se si do të ndryshojë kërkesa nëse vazhdohet me modelin aktual apo nëse ndërmerren masa për eficiencë. Kjo i jep politikës energjetike të Shqipërisë një horizont afatgjatë dhe stabilitet.

Së dyti, dokumenti orienton sektorin drejt teknologjive të pastra dhe me rendiment të lartë. Për ujin e ngrohtë që përdoret për nevoja të përditshmërisë, panelet diellore identifikohen si një nga opsionet më të leverdishme për Shqipërinë, duke pasur parasysh potencialin e lartë diellor të vendit. Kombinimi i tyre me pompat e nxehtësisë rrit eficiencën dhe ul kostot në afatgjatë. Për ngrohjen e ambienteve, pompat e nxehtësisë konsiderohen si teknologji tranzicioni që mund të zëvendësojnë sistemet tradicionale me konsum më të lartë energjie dhe me emetime më të mëdha.

Në zona urbane me densitet të lartë, raporti evidenton sistemet e ngrohjes qendrore me biomasë apo zgjidhjet hibride si alternativa kosto-efektive. Kjo do të thotë se zgjidhjet nuk janë uniforme për gjithë vendin, por përshtaten sipas karakteristikave të çdo zone. Reforma teknike që propozohet është e qartë: kalim gradual nga sisteme individuale joefikase drejt teknologjive më moderne, me rendiment më të lartë dhe me ndikim më të ulët mjedisor.

Së treti, dokumenti krijon një kornizë që orienton investimet, si ato publike dhe private. Ai nuk kufizohet në analizë teknike, por identifikon zonat prioritare dhe teknologjitë më kosto-efektive, duke i dhënë qartësi tregut, se ku duhet të përqendrohen fondet. Kjo është e rëndësishme sepse investimet në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes janë afatgjata dhe kërkojnë stabilitet rregullator.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë e ka theksuar se dokumenti dërgon sinjale të qarta për partnerët e zhvillimit dhe institucionet financiare. Kjo do të thotë se Shqipëria po krijon një mjedis më të parashikueshëm për projekte të gjelbra, duke e integruar sektorin e ngrohjes në politikat kombëtare të energjisë dhe klimës dhe duke e lidhur atë me objektivat europiane.

Ngrohja dhe ftohja: përparësi strategjike e Shtetit. Pse ky dokument shkon përtej energjisë?

Rëndësia e këtij dokumenti nuk qëndron vetëm në aspektin teknik. Ai e ndryshon mënyrën si e konceptojmë politikën energjetike të vendit tonë.

Për shumë vite, diskutimi është përqendruar kryesisht tek prodhimi i energjisë, sidomos tek burimet e rinovueshme në sektorin elektrik. Ky dokument e zhvendos fokusin tek konsumi final, aty ku krijohet realisht kostoja për familjet dhe gjenerohet ndikimi mjedisor. Politika energjetike nuk matet më vetëm me kapacitet të instaluar, por me eficiencën e përdorimit të energjisë në çdo shtëpi dhe çdo ndërtesë.

Dokumenti krijon gjithashtu stabilitet dhe besueshmëri. Kur një vend paraqet një analizë të plotë me skenarë afatgjatë dhe me drejtim të qartë zhvillimi, ai tregon se politikat nuk do të jenë të përkohshme apo të rastësishme. Dhe është pikërisht ky elementi që e rrit besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të investitorëve.

Një tjetër dimension është ai institucional. Ngrohja dhe ftohja nuk trajtohen më si çështje private e familjeve, por si pjesë e planifikimit kombëtar. Kjo e ngre sektorin nga një zgjedhje individuale në një prioritet strategjik të shtetit.

Në fund, ky dokument krijon një pikë reference. Ai vendos një bazë mbi të cilën mund të maten progresi, investimet dhe rezultatet në vitet e ardhshme. Pa një plan të tillë, dekarbonizimi do të mbetej në nivel deklaratash. Me këtë dokument, ai hyn në fazën e zbatimit konkret.

Dhe kjo është arsyeja se pse rëndësia e tij shkon përtej energjisë…

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat