Shqipëria Postuar më 3 Mars 2026, 15:43

Ministeriali i Turizmit, Gonxhja: Përfaqësim dinjitoz i Shqipërisë, histori suksesi që meriton të dëgjohet

Nga SCAN TV

Ministeriali i Turizmit, Gonxhja: Përfaqësim dinjitoz i

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në Ministerialin e Turizmit të organizuar nga UN Tourism në Berlin, në kuadër të ITB Berlin, panairit më të madh në botë për turizmin.

Ministeriali u zhvillua një ditë përpara çeljes së panairit për publikun dhe mblodhi ministra dhe përfaqësues qeveritarë nga rreth 40 shtete, të cilët diskutuan mbi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe fuqizimin e destinacioneve të reja në tregun global.

Gonxhja tha se, “Shqipëria prezantohet me një pavijon dinjitoz dhe me një përfaqësim të gjerë nga turoperatorë, institucione, bashki dhe organizata të ndryshme të sektorit të turizmit. Nga nesër, na presin ditë intensive promovimi të destinacioneve tona përpara medieve ndërkombëtare, profesionistëve të industrisë dhe partnerëve nga e gjithë bota”.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, rritjes së investimeve dhe promovimit të destinacioneve që ofrojnë autenticitet dhe eksperienca unike për vizitorët.

Tema e ministerialit iu kushtua fuqizimit të destinacioneve të reja dhe potencialit të tyre, një temë ku Shqipëria spikat natyrshëm si një destinacion atraktiv në rajon dhe më gjerë.

“Me natyrën tonë të jashtëzakonshme, traditën, kulturën, trashëgiminë, mikpritjen dhe klimën e bekuar, vijmë në Berlin me një ofertë autentike dhe një histori suksesi që meriton të dëgjohet”, u shpreh ministri Gonxhja.

Shqipëria prezantohet në ITB Berlin me një pavijon dinjitoz dhe me një përfaqësim të gjerë nga turoperatorë, institucione qendrore e vendore, bashki dhe organizata të ndryshme të sektorit të turizmit. Pjesëmarrja në këtë panair synon forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, zgjerimin e bashkëpunimeve dhe rritjen e numrit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.

Nga dita e nesërme, përfaqësuesit shqiptarë do të zhvillojnë një agjendë intensive takimesh me profesionistë të industrisë, medie ndërkombëtare dhe partnerë strategjikë nga e gjithë bota, për të promovuar destinacionet turistike të vendit.

Me natyrën e saj të jashtëzakonshme, trashëgiminë kulturore, traditat, mikpritjen dhe klimën e favorshme, Shqipëria paraqitet në Berlin me një ofertë autentike dhe një histori suksesi në rritje, duke konsoliduar pozicionin e saj si një ndër destinacionet më dinamike në rajon.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat