Shqipëria Postuar më 19 Tetor 2024, 12:31

Emigrantët largohen nga Gjadri, rikthehen në Itali - Gjykata italiane: Egjipti e Bangladeshi s’konsiderohen të sigurta

Nga SCAN TV
Emigrantët largohen nga Gjadri, rikthehen në Itali - Gjykata italiane:

Ledina Elezi/SCAN

 

Emigrantët e paligjshëm që mbërritën ditën e mërkurë në Shqipëri dhe të cilët u strehuan në kampin e Gjadrit, janë nisur sërish mëngjesin e sotëm për në Itali. Një gjykatë speciale e emigracionit në Itali, ka vendosur se emigrantët duheshin rikthyer, për arsye se Egjipti dhe Bangladeshi prej nga vijnë këta emigrantë, klasifikohen si vende të pasigurta.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni është shprehur se nuk i takon Gjykatës të vendosë se cilat janë vende të sigurta dhe cilat jo, por ky vendim i takon qeverisë. Si rezultat, Meloni pritet të mbledhë kabinentin e saj të hënën për të diskutuar mbi këtë çështje.

Në bordin e anijes Libra që mbërriti para pak ditësh në Portin e Shëngjinit, gjendeshin 16 emigrantë, 10 burra nga Bangladeshi dhe 6 Egjiptianë, por vetëm 12 u akomoduan në Kampin e Gjadrit, për shkak se dy prej tyre konsideroheshin akoma fëmijë dhe dy ishin pjesë e kategorive vulnerabël.

Sipas marrëveshjes së nënshkuar midis dy qeverive, gratë, fëmijët, të sëmurët dhe ata me shenja torture do të mbaheshin në ishullin jugor italian të Lampeduzës, ndërsa burrat e shëndetshëm me prejardhje nga vende të sigurta, do të dërgoheshin në Shqipëri.

Ditën e djeshshme, edhe pse kërkesat e emigrantëve për azil ishin refuzuar, Gjykata e Romës vendosi se 12 emigrantët duhet të riktheheshin në Itali, pasi ishte e pamundur që t'i dërgojnë në vendet e tyre të origjinës, për shkak se nuk konsideroheshin të sigurta. Ky vendim i lëshuar nga Gjykata Italiane, erdhi në zbatim të një vendimi të mëparshëm nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, në Shqipëri duhet të dërgohen nga shteti italian rreth 3000 emigrantë të paligjshëm çdo muaj dhe gjithsej 36 000 në vit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat