Analiza Postuar më 6 November 2026, 11:31

Ekonomia ndërron “fytyrë”/ Dibra kryeson zhvendosjen strukturore, Vlora zgjeron peshën e shërbimeve

Nga Xhorxhina Deda

Ekonomia ndërron “fytyrë”/ Dibra kryeson zhvendosjen

Ekonomia e qarqeve shqiptare ka ndryshuar ndjeshëm strukturë gjatë viteve të fundit, me zhvendosje të peshës së aktiviteteve nga bujqësia dhe industria drejt ndërtimit, tregtisë dhe shërbimeve. Megjithatë, ritmi dhe drejtimi i këtyre ndryshimeve nuk kanë qenë të njëjtë në të gjithë vendin. Dibra, Vlora dhe Gjirokastra rezultojnë qarqet me ndryshimet më të mëdha në përbërjen e vlerës së shtuar bruto (VSHB).

Sipas një analize të Scan Intel mbi të dhënat e INSTAT-it, e cila krahason ndryshimin e peshës së dhjetë degëve ekonomike në secilin qark, Dibra renditet e para zhvendosjen strukturore më të madhe.

Përgjatë viteve 2021-2024, në Dibër ndryshimi më i madh lidhet me uljen e peshës relative të industrisë dhe bujqësisë, kundrejt zgjerimit të ndërtimit dhe aktiviteteve tregtare. Industria zbriti nga 23.69% në 19.36% të vlerës së shtuar bruto të qarkut, ndërsa bujqësia nga 42.76% në 39.47%. Në të kundërt, pesha e ndërtimit u rrit nga 8.41% në 12.55%, ndërsa ajo e tregtisë, transportit dhe hotelerisë nga 5.51% në 9.08%.

Ky ndryshim pasqyrohet edhe në vlerat nominale. Gjatë periudhës së analizuar, vlera e shtuar nga tregtia, transporti dhe hoteleria në Dibër u rrit me 112.4%, ndërsa ajo e ndërtimit me 92.2%. Industria shënoi një rritje nominale prej vetëm 5.3%.

Një zhvendosje e fortë strukturore është regjistruar edhe në Vlorë, ku pesha e tregtisë, transportit dhe hotelerisë u zgjerua nga 17.29% në 23.56%. Rritja prej 6.26 pikësh përqindjeje është më e madhja e regjistruar për një grup të vetëm aktivitetesh ndërmjet qarqeve. Ndërkohë, ndërtimi dhe bujqësia humbën peshë relative në ekonominë vendore.

Në Gjirokastër, ndryshimi kryesor lidhet me industrinë, pesha e së cilës u rrit nga 9.41% në 14.33%. Vlera e shtuar industriale pothuajse u dyfishua në terma nominalë, me një rritje prej 96.7%. Në skajin tjetër, Berati dhe Elbasani shfaqin strukturat më pak të ndryshuara.

Megjithatë, ndryshimi strukturor nuk nënkupton automatikisht rritje të produktivitetit apo zhvillim ekonomik më cilësor. Llogaritja mbështetet në peshat e aktiviteteve me çmime korrente, të cilat ndikohen edhe nga ndryshimet e çmimeve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat